Britania do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në proceset e reformave të thella që ka ndërmarrë.
Kjo u konfirmua sot gjatë një vizite në Tiranë, të një delegacioni të Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, i cili kryesohej nga Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Brendshme, Philip Rutnam.
Ata u pritën në një takim nga Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, takim ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Duncan Norman.
Forcimi i luftës kundër krimit të organizuar transnacional dhe terrorizmit, përmes shkëmbimit të informacionit si dhe mbështetja e reformës në sistemin penitenciar, me synim rritjen e sigurisë së brendshme kanë qenë temat kryesore të diskutimit.
Ministrja e Drejtësisë tha se qeveria shqipëria ka treguar me rezultate konkrete se angazhimi në luftën kundër krimit të organizuar transnacional është një angazhim serioz edhe në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Në përgjigje të interesimit të delegacionit britanik, Ministrja Gjonaj ka bërë një ekspoze të ecurisë dhe rezultateve të deritanishme të Reformës në Drejtësi, duke e vënë theksin te ngritja e institucioneve të reja si Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, të cilat do të krijojë kushtet e duhura për ndjekjen dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet e larta të politikës dhe administratës publike.
Reforma në sistemin penitenciar dhe masat më të fundit që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për forcimin e sistemit të sigurisë në burgje ka qenë një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar.
Gjonaj theksoi se me ndryshimet e fundit ligjore parashikohet vendosja në një regjim të veçantë izolimi për të dënuarit për vepra penale të krimit të organizuar apo terrorizmit, duke marrë si model sistemin italian “41-bis”.
Ndërkohë një punë e mirë po bëhet me investimet infrastrukturore për rritjen e sigurisë në burgje, përmes buxhetit të shtetit dhe mbështetjes së Ambasadës së Britanisë së Madhe, të cilën ministrja gjeti rastin ta falenderonte.
Nga ana e tij, Rutnam shprehu gatishmërinë e plotë të qeverisë britanike për të vijuar me mbështetjen e programit të reformimit të sistemit penitenciar.
Duke folur për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe më gjerë në luftën kundër krimit të organizuar, Ministrja Gjonaj vlerësoi Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar midis Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ambasadës Britanikë në Tiranë si dhe marrëveshjen me Eurojust.
Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Brendshme Britanike falënderuar ministren Gjonaj për bashkëpunimin e deritanishëm dhe marrëveshjet e arritura midis dy qeverive për shkëmbimin e informacionit mbi të dhënat kriminale për shtetasit shqiptarë dhe britanikë.
Ai vlerësoi angazhimin e Shqipërisë për të bashkëpunuar me organizata të rëndësishme si Eurojust, pasi lufta ndaj krimit të organizuar kërkon veprime më të shpejta, me efektive dhe forcimin e bashkëpunimit transnacional./atsh