8 ndeshje,8 fitore,27 gola të shënuar, asnjë të pësuar/ Njihuni me kombëtaren rekord

Danimarka u bë skuadra e dytë evropiane që kualifikohet për Kupën e Botës, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Katar. Kjo kombëtare mundi Austrinë 1-0 të martën për të ruajtur rekordin e përsosur në grupin e saj; 8 ndeshje – 8fitore.

Goli i Joakim Maehle në minutën e 53-të në “Parken Stadium” siguroi fitoren e tetë radhazi në këto kualifikuese për danezët, të cilët ende nuk kanë pësuar asnjë gol në Grupin F, kanë shënuar plot 27 të tillë dhe kanë rekordin e vetëm të 100% të pikëve.

Gjermania ishte skuadra e parë që arriti në “Katar 2022” përmes kualifikueseve, duke vulosur vendin e parë në grupin e saj të hënën. Danimarka u kualifikua në Kupën e Botës pa mesfushorin Christian Eriksen.

Ky i fundit, pjesë e Interit në Serie A, po shërohet nga kolapsi shëndetësor që pësoi gjatë Kampionatit Evropian (arrest kardiak), por Danimarka u konfirmua si një nga ekipet më të mira në kontinent gjatë verës, teksa arriti deri në gjysmëfinale të “Euro 2020”.

Me vendin e parë në grup të siguruar, Danimarka ka një epërsi të pakundërshtueshme prej shtatë pikësh ndaj Skocisë, e cila kishte nevojë për një gol të minutës së 86-të nga Lyndon Dykes për të mposhtur Ishujt Faeroe 1-0. Izraeli është në vendin e tretë, katër pikë prapa, pas fitores 2-1 ndaj Moldavisë.

Loading...