Revolucioni i Mark Zuckerberg/ Çfarë po ndodh?

Mark Zuckerberg po planifikon një revolucion të vërtetë, në prag të mbledhjes vjetore të kompanisë së tij. Sipas medias amerikane, “The Verge”, themeluesi i Facebook po mendon të fshijë pikërisht këtë fjalë dhe të ribrandojë kompaninë.
Arsyeja, sipas burimeve që citon “The Verge”, është fakti që Facebook është bërë sinonim me lajmet e rreme, dezinformimin dhe përhapjen e urrejtjes online.

Konferenca vjetore është parashikuar të organizohet më 28 tetor, por ky plan i Zuckerberg mund të bëhet publik edhe më herët. Ndryshimi do të bënte që logo blu e Facebook të spostohet poshtë, mes shumë shërbimeve që kompania mëmë ofron, si Instagram, WhatsApp, Oculus, e të tjera.

Më herët, vetë Zukcerberg ka pranuar se kompania e tij në të ardhmen do të shihet më tepër si ofruese e shërbimeve të realitetit virtual, dhe jo vetëm të mediave sociale. Për të konkretizuar këtë objektiv, Facebook ka deklaruar se do të punësojë 10 mijë persona në Europë për të ndërtuar atë që është quajtur “bota online”.

Ky vendim duket se përbën një ndryshim rrënjësor kursi nga Zuckerberg, pasi Facebook është një prej brandeve më të njohur në planet dhe në të kaluarën, ai ka qenë gjithmonë i interesuar që ta fuqizonte atë.

Loading...