Qeveria për blegtorët, shërbim veterinar falas dhe zero TVSH

Shërbime veterinare falas dhe zero TVSH për subjektet private që operojnë në këtë sektor, janë dy masa të reja lehtësuese që do të përfitojnë në 2019 blegtorët në të gjithë vendin.

Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ilir Halili, shpjegoi në një intervistë për ATSH-në, se me buxhetin e vitit 2019, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë angazhimin për ofrimin e shërbimit veterinar falas për të gjithë blegtorët shqiptarë.

Kjo qëndron në angazhimin e veterinarisë, qoftë asaj që është në varësi të pushtetit vendor, por edhe të asaj në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për plotësimin e të gjitha kërkesave që blegtorët shqiptarë kanë për të marrë shërbim veterinar.

Gjithashtu, tha Halili, “edhe në paketën fiskale 2019 është hequr TVSH-ja për shërbimin veterinar në fermë”.

“Pra çdo subjekt, privat që kryen shërbim veterinar, do ta kryejë atë me TVSH zero”, – tha Halili për ATSH-në.

Numri dy i institucionit të Bujqësisë theksoi se këto janë dy masa të rëndësishme që i shërbejnë një nga prioriteteve të qeverisë për rritjen e sigurisë ushqimore në vend dhe gjurmueshmërisë së shëndetit të bagëtive.

Këto lehtësi për sektorin e blegtorisë, janë një hap që i shërben plotësimit të standardeve të sigurisë ushqimore sipas kërkesave të Bashkimit Europian, ku vendi ynë aspiron të aderojë, tha zv.ministri Halili./ATSH

Loading...