Mësuesja kujdestare denoncoi dy herë shenjat në fytyrë të 6-vjecares

Babai që dhunoi vajzën e tij 6-vjeçare do të qëndrojë në burg deri në përfundimin e hetimeve. Ai ka pranuar se ka qëlluar të miturën, me argumentin se telefononte shpesh nënën e saj. Por rasti është më tragjik për faktin se mësuesit kanë kërkuar dy herë ndihmën e psikologëve pasi vajza kishte shenja dhune, por në raport thuhet se e mitura nuk kishte probleme.

Babai i vajzës 6-vjeçare të dhunuar ka pranuar në gjykatë se ka qenë ai autori, por ka mohuar dhunën seksuale. Si argument ai ka dhënë se e mitura shqetësonte shpesh nënën me telefon, ndaj dhe e ka goditur me thupër. Por ndër të tjera 27-vjeçari deklaron se ka qenë ai që e ka dërguar në spitalin e Traumës.

Për shkak të situatës së rëndë, vogëlushja i është nënshtruar dhe një ndërhyrje kirurgjikale dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Por dhunimi i 6-vjeçares nga babai i saj ka zgjatur prej muajsh.

Stafi i mësuesve ka vënë re në fillim të vitit arsimor një shënjë të kuqe në fytyrën e fëmijës, pranë syrit.

Në atë kohë mësuesja kujdestare kërkoi që me të të merren punonjësit përkatës.

Madje zyrtarisht thuhet se një grup psikologësh nga zyra arsimore kanë takuar të miturën por dolën në përfundimin se vajza nuk shfaqi asnjë shenjë dhune.

Pavarësisht kësaj situate 6-vjeçarja shkonte në shkollë me shenja të tjera ndaj mësuesja kujdestare ka ngritur edhe një herë alarmin, shkak këtë herë kanë qenë sjellja e tërhequr e fëmijës e cila ishte shumë e ndrojtur.

Edhe një herë është kërkuar ndihma e psikologes këtë herë të shkollës, por sërisht nuk janë konstatuar probleme.

Madje mësohet se kur e mitura është pyetur nga psikologia se cilët janë njerëzit e saj më të dashur, dhe ajo ka përmendur vetëm të ëmën.

U deshën dy muaj që dyshimet e mësueses kujdestare për 6-vjeçaren të verifikoheshin, fatkeqësisht, përmes një dhune barbare nga i ati.

Por zinxhiri i dhënies së alarmit edhe këtë radhë nuk ka funksionuar si duhet.

Madje Drejtoria për ndihmën ekonomike dhe çështjet sociale në bashkinë e Kamzës, thotë se rasti nuk u është referuar.

“Nuk kemi si bashki një referim, nuk ka si të kesh informacion për familjen, aq më tepër që kjo familje ka qenë në vazhdimësi në lëvizje”.

Për nënën dhe fëmijën Bashkia do të vërë në dispozivion një psikolog, ndërsa babai do të vuajë masën e arrestit me burg deri në përfundimin e hetimit.

Loading...