Aeroporti i Vlorës/ Ndërtimi në dy faza

Kompania koncesionare që do të ndërtojë dhe operojë Aeroportin e Vlorës ka dorëzuar së fundmi pranë autoriteteve shqiptare përmbledhjen joteknike të raportit të thelluar të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për projektin. Dokumenti ndalet në një sërë aspektesh që nga analizimi i hapësirës ku do të vendoset ky aeroport, tek ecuria e pritshme e ndërtimit dhe pasagjerëve por edhe tek ndikimet që mund të ketë në fshatrat përreth dhe ekosistem. Kështu sipas kontratës që është nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe konsorciumit ndërtues dhe operues Mabatex construction & YDA group parashikohet që numri vjetor i pasagjerëve të jetë progresivisht: përafërsisht 360,000 në vitin e parë të operimit, rreth 600,000 dy vjet më vonë dhe rreth 1,16 milion në vitin e pestë të operimit.

I njëjti dokument nënvizon se sipërfaqja e ndërtimit të Aeroportit është 309 ha ku do të vendosen të gjithë elementet e funksionimit të një aeroporti ndërkombëtar: pista, terminali i pasagjerëve, vend parkimi i automjeteve të udhëtarëve, parku i emergjencës kundërt zjarrit, vend depozitimi i karburanteve, sistemet e ndriçimit, nënstacioni i sistemit elektrik, impiante të pastrimit të ujërave urbane/të zeza, pompat e shtytjes së ujërave të përmbytjeve të pistës dhe gjithë facilitetet e tjera. Toka ku do të ndërtohet aeroporti në Akërni është në pronësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe ka funksionuar nga viti 1965 si bazë stërvitore e shkollës së aviacionit në Vlorë dhe në të kanë operuar avionë ushtarakë më shpejtësi afër dy here më të madhe se aviacioni komercial edhe pse me peshë shumë më të vogël. Aeroporti do të të ndërtohet për një periudhë 4 vjeçare i ndarë në dy faza; faza e pare me kapacitete deri në 400 mijë udhëtarë dhe, në një fazë të dytë më kapacitetet deri në 1.2 milion pasagjerë në vit.

Ndikimi në ekosistem dhe tek shpendët Zona ku do të ndërtohet Aeroporti i Vlorës është shumë afër me disa nga zonat me potenciale më të mëdha turistike në vend dhe të konsideruara si zona të Mbrojtura. E tillë është edhe Laguna e Nartës apo Lugina e Vjosës. Raporti i paraqitur në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit sjell në vëmendje pikërisht këtë aspekt. “Kompleksi ligatinor Narta-Vjosa me VKM Nr. 680, datë 22.10.2004 është shpallur peizazh ujor / tokësor i mbrojtur (Kategoria IV IUCN), ndërsa ishulli i Sazanit përfaqëson një pjesë të Parkut Kombëtar tokësor detar. Këto ekosisteme përfshijnë Lagunën e Nartrës, Grykëderdhjen e Lumit Vjosa, sistemet bujqësore – kryesisht kodra të mbjella me ullishte dhe vreshta, ndërsa bimësia është zakonisht mesdhetare, pyje me pisha, etj. Në tërësinë e tij ekosistemet dinamike mbajnë një numër të madh të habitateve të rëndësishme natyrore në shkallë vendi. Dhe ndërkombëtarisht. Kjo pasuri natyrore përbën një atraksion turistik i cili pa dyshim po ushtron ndikim mbi të si pasoje e zhvillimit të tij aktual dhe perspektiv” thuhet në dokument.

VNM-ja thekson se probabiliteti që ndërtimi i Aeroportit të shkaktojë ndikime mbi zhurmat është i shumë i lartë, ndikimi është në një shkallë shumë të lartë dhe afatgjatë, pasi në zonë janë të pranishëm receptorë me ndjeshmëri shumë të lartë (si qendra shëndetësore) dhe receptorë me ndjeshmëri të lartë (institucionet arsimore). “Ndërtimi i Aeroportit ndikon direkt në rritjen e nivelit të zhurmave, prandaj ndikimi është primarë dhe njëkohësisht kumulativ. Parashikohet të ketë ndikime negative në drejtim të funksionimit të ekosistemit në tersi dhe shpendëve në veçanti. Zhurmat, prania njerëzore dhe e mjeteve konsiderohen si ndikime mbi komunitetet biologjike të zonës së mbrojtur” thuhet në VNM. Ky i fundit vlerëson se gjatë fazës së ndërtimit zhurmat mund të largojnë shpendët që janë në këtë zonë ndërkohë që kjo mund të rikuperohet gradualisht në një pjesë pas përfundimit të kësaj faza. Në disa raste të ngjashme projektesh largimi i shpendëve tyre mund të jetë i përhershëm.

Aeroporti i Vlorës me trafik të garantuar Kompania fituese për Aeroportin e Vlorës u shpall në fillim të këtij viti me një ofertë investimi 103 milionë euro. Qeveria ka aplikuar për këtë projekt garantimin e trafikut të munguar. Sipas dokumenteve të bëra publike në atë kohë Të ardhurat e garantuara në skenarin bazë për 10 vitet e para të operimit parashikohen 9.6 milionë euro në vitin e katërt, 10.3 në vitin e pestë, 11.2 për të gjashtë , 12.1 për të shtatë e kështu me radhë me një kulmim prej 18.6 milion euro në vitin e trembëdhjetë nga nënshkrimi i kontratës. Në total të ardhurat e garantuara duhet te jenë rreth 138 milionë euro.

Loading...