Shpërthimi i një çisterne i ka marrë jetën të paktën 99 personave dhe ka lënë të plagosur më shumë se 100 të tjerë.
Ngjarja tragjike ka ndodhur pak orë më parë në kryeqytetin e Sierra Leonës, ku çisterna e naftës shpërtheu pas një rrjedhjeje.
Viktimat ishin njerëz që ishin grumbulluar për të mbledhur naftën e derdhur.
Mësohet se të plagosurit kanë mbushur plot spitalet dhe klinikat e kryeqytetit, ndërkohë që fatkeqësisht shumë prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë, çka mund të rrisë bilancin e viktimave.
Ngjarja e rëndë ka shokuar mbarë Sierra Leonen, ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes, si dhe për pastrimin e zonës.
OBSH është solidarizuar me këtë tragjedi për Sierra Leonen duke pohuar se do të dërgojë ndihma shëndetësore për të plagosurit.
Një tragjedi e ngjashme ndodhi në vitin 2019 në Tanzani, ku pas shpërthimit të një çisterne nafte humbën jetën 85 njerëz.
Burimi: Reuters|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania