Trajneri Edy Reja jep kushtrimin kuqezi para Anglisë

Trajneri Edy Reja ka dalë në konferencë për shtyp nga rezidenca kuqezi e Durrësit, ku është grumbulluar dhe do të stërvitet kombëtarja për ndeshjet e fundit kualifikuese në grup, ndaj Anglisë dhe Andorrës. E para, më 12 nëntor, do të luhet në transfertë, ndërsa e dyta në “Arena Kombëtare”, më 15 nëntor.

Natyrisht, interesi i gazetarëve ishte kryesisht te mungesat, pse nuk janë ato në listë. Veçanërisht u kërkuan shpjegime nga trajneri italian pse mungojnë Manaj dhe Balliu. Reja ka nënvizuar në fjalën e vet:

“Balliu dhe Manaj jashtë listës? Kam folur me Manaj javën e shkuar, ai ka një dëmtim dhe është pa qejf. Kjo gjendje fizike jo e mirë na detyroi që ta linim pushim dhe të rikuperohet. Ai nuk ka pasur shumë minuta aktivizim me klubin, çka tregon se nuk ka qenë në formë, ndaj vendosëm bashkarisht të mos ishte pjesë e dy ndeshjeve kualifikuese të radhës.

Balliu ka një problem me muskujt e barkut. Kam folur disa herë me të. Ai do t’iu nënshtrohet testeve mjekësore paçka se ka luajtur në La Liga. Edhe me Balliun vendosëm bashkarisht të mos vinte.

Në fakt, kisha shumë dëshirë ta aktivizoja këto ndeshje, doja që të luante edhe ndaj Polonisë. Në ndeshjet e vitit të ardhshëm mbetet për ta parë, doja ta kisha në dispozicion. Po kështu, kemi edhe mungesat e Abrashit e Gjimshitit për shkaqe fizike dhe lëndimi”.

Lidhur me objektivin në dy kualifikueset përmbyllëse të “Katar 2022”, trajneri kuqezi shtoi: “Objektivi ynë është të shkojmë e të luajmë në mënyrën më të mirë të mundshme ndaj Anglisë, fillimisht. Do të shkojmë në ‘Wembley’ për të dhënë dhe marrë maksimumin.

Le të luajmë dy ndeshje të mira. Humbja me Poloninë në shtëpi i komprometoi shanset tona për ‘play-off’ në këto eliminatore. Sidoqoftë, derisa na lejon matematika, do të shpresojmë deri në fund.

Kanë mbetur të luhen edhe dy ndeshje. Pra, do të impeniohemi maksimalisht ndaj Anglisë dhe Andorrës, le të shpresojmë deri në fund. Uroj që Hungaria të na japë një dorë duke ndalur Poloninë. Lojtarëve do t’iu kërkoj maksimumin, pasi duam pikë të tjera. Pas këtyre dy ndeshjeve do të bëjmë analizat tona për të parë se çfarë kemi bërë mirë apo keq.

I vetmi zhgënjim ishin humbjet me Poloninë, pasi nuk e merituam humbjen. Në ndeshjen e kthimit me polakët, e cila ishte më e rëndësishmja në histori, patëm shumë probleme me dëmtimet dhe infektimin me Covid-19. Më erdhi shumë keq, sepse nuk kisha lojtarët e duhur në stol për të bërë zëvendësime. Patëm pak mundësi zgjedhjeje, për fat të keq. Skuadra dha maksimumin në Hungari, u konsumua disi fizikisht, ndaj kishim nevojë për lojtarë të freskët kundër Polonisë.

E përsëris, fatkeqësisht nuk kishim mundësi zgjedhjeje. Nëse do të barazonim me Poloninë do të kishim shumë shanse kualifikimi, tani është mjaft e vështirë. Kisha menduar të arrinim kuotën e 19 pikëve, sepse kështu mund të shkonim në ‘play-off’. Megjithatë, meqë matematika na lejon, do të provojmë deri në fund.

Lojtarët e kanë të qartë se mund të bëjnë më shumë. Kënaqem teksa e shoh skuadrën të rritet, duke iu referuar paraqitjeve në fushë. Kemi luajtur shumë mirë ndaj Polonisë, skuadrës më të fortë në grup pas Anglisë. Kemi fituar dy herë ndaj Hungarisë, e cila bëri mjaft mirë në Evropian. Nëse do ta mbyllim me 18 pikë fushatën eliminatore do të ishte mjaft mirë, por më vjen keq që nuk arritëm të shkonim në ‘play-off’.

Mendoj se u kushtëzuam nga disa episode, edhe nga disa gabime individuale, sidomos ndaj Polonisë në kthim. Jemi rritur, jemi kompetitivë, mund të luajmë si të barabartë me këdo. Në të ardhmen mund të arrijmë gjëra të mëdha.

Portierët? Unë pres gjithmonë përmirësime nga të gjitha repartet. Unë i kam parë të dy portierët në formë, si Strakoshën dhe Berishën, edhe pse nuk luajnë me klubet. Ata vijnë edhe më të karikuar në kombëtare, sepse duan të tregojnë vlerat e tyre. Rendimenti i dy portierëve ka qenë shumë i mirë, skuadra po rritet dhe portierët bëjnë paraqitje të mira.

Ajo që dua të përmirësohet është mesfusha e lart, ndërsa në mbrojtje kemi treguar që kemi qenë solidë. Në portë kemi edhe Selmanin. Sa herë e kemi thirrur që të mbrojë portën, ai ka treguar vlerat e tij. Pra, kemi zgjidhje të mjaftueshme.

Situata e Kumbullës te Roma? Ai duhet të përmirësohet në aspektin e karakterit. Nuk po kalon moment të mirë te Roma, por këto eksperienca do ta rrisin atë. Vërtet mungon Gjimshiti, po flasim për një nga mbrojtësit më të mirë në qarkullim, kështu që është një mungesë e madhe. Kumbulla, kur vjen në Kombëtare ka treguar se ka besim. Në kombëtare ka bërë shumë mirë.

Ai luan në një klub si Roma në moshën 20-vjeçare, atje ka edhe Kritika, është një mjedis i nxehtë. Kam qenë vetë te Roma dhe e di se çfarë ndodh atje. Për mendimin tim meriton më shumë, por te Roma e penalizon situate që po kalon krejt skuadra. Ndaj Polonisë ka bërë një ndeshje të sghkëlqyer, nuk gaboi asnjë herë kundër Lewandowskit”.

Loading...