Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në aksin rrugor Berat-Dimal, në vendin e quajtur Otllak.
Makina e tipit Volswagen Toureag, me targa AA 030,në përpjekje për të parakaluar është përplasur fuqishëm me mjetin me targa greke HJK 1373. Si pasojë e përplasjes së fortë, mjeti me targa greke është goditur me shtyllën dhe kangjellat e rrugës, duke plagosur edhe një kalimtar që ndodhej në anë të rrugës.
Nga aksidenti kanë ngelur të plagosur dy drejtuesit e mjeteve si dhe këmbësori, të cilët janë transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat,ku edhe po marrin ndihmë mjekësore. Nga Spitali Rajonal Berat konfirmojnë se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën, edhe pse kanë plagë të shumta në trup.
Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë rrugore dhe ekspertë,që po kryejnë edhe kqyrjes e vendit të aksidentit për të zbardhur shkaqet. Burimet policore në vendngjarje konfirmojnë se, paraprakisht mendohet se shkak për aksidentit është bërë parakalimi i gabuar i mjetit Toureag, që drejtohej nga shtetasi Agur Pajo.