Deputetja Albana Vokshi ka braktisur mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, për shkak se sipas saj nuk ishte lejuar që të bëhej asnjë debat.
Vokshi ka thënë se ajo i qëndron deklaratave që ka bërë për Bashën, ku ka kundërshtuar nisjen e procesit zgjedhor në dy forume, atë të grave dhe të të rinjve.
Vokshi është shprehur shkurtimisht për gazetarët se Basha nuk mund të përfaqaësojë vullnetin e të gjithë partisë, sa kohë që shumë janë shprehur kundër tij.
“Nuk na u la të bënim asnjë diskutim, unë i qëndroj deklaratave që kam bërë, Basha nuk përfaqëson qëndrimin e të gjithë partisë”, është shprehur Vokshi.
Edhe në mbledhjen e djeshme të kryesisë së grupit parlamentar, Albana Vokshi dhe Oerd Bylykbashi, që janë shprehur kundër Bashës zgjodhën që të mos ishin të pranishëm në takim.
Fraksioni në PD tashmë po bëhet çdo ditë dhe më i qartë, ku më shumë se 10 deputetë janë reshtuar në krah të Berishës, në përballjen që ai ka me kreun aktual të Partisë Demokratike.
Nisja e procesit zgjedhor për kryetaren e gruas dhe kryetarin e të rinjve, duket se është edhe pika e vlimit në përplasjet e brendshme në PD, ku kundërshtarët brenda partisë thonë se Basha nuk ka asnjë të drejtë që të ndërhyjë në proces.