Shkatërrohet b*anda ndërkombëtare e t*rafikut të k*okainës, drejtohej nga dy vëllezër shqiptarë

Guardia di Finanza ka kryer një operacion të madh anti-drogë, ku është shkatërruar një bandë ndërkombëtare e trafikut të drogës në Itali, e cila drejtohej nga dy vëllezër me origjinë shqiptare.

Mediat italiane bëjnë me dije se në këtë operacion të madh të koduar “Maffi”, i cili u shtri në 5 rajone të ndryshme, midis Emilia Romagna, Merche, Veneto, Lombardia dhe Piemonte, morën pjesë më shumë se 60 forca speciale të Guardia di Finanza.

Gjatë këtij aksioni “blitz” kanë rënë në pranga 10 persona. Mësohet se banda e drejtuar nga shqiptarët importonte sasi të mëdha droge në Itali.

Hetimet për shkatërrimin e organizatës kriminale kanë nisur që nga viti 2019. Gjatë hetimeve, oficerët e policisë zbuluan se kokaina e importuar, e prodhuar në Amerikën e Jugut, fillimisht mbërrinte në portet e Europës Veriore, kryesisht në Holandë dhe më pas nisej drejt Italisë.

Banda e drejtuar nga dy vëllezërit shqiptarë siguronte mbërritjen e kokainës brenda territorit italian, duke u kamufluar përmes një rrjeti korrierësh, të cilët e fshihnin lëndën narkotike në makina me modifikime të përshtatshme.

Dy vëllezërit shqiptarë, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur, banonin në Holandë. Me ndihmën e dy shqiptarëve të tjerë me banim në zonën e Reggio-s, ata shpërndanin kokainë në zonën e Emilia-s, nëpërmjet një rrjeti italian të trafikut të drogës.

Gjatë hetimeve u arrestuan për vepër penale gjashtë persona (pesë shtetas shqiptarë dhe një italian) dhe u sekuestruan rreth 7.5 kilogramë kokainë, një plantacion kanabisi me 93 bimë, 14 gramë marijuanë dhe më shumë se 10 mijë euro cash, të ardhura nga trafiku i drogës.

Gjithashtu janë sekuestruar gjashtë prona, pesë mjete transporti, 22 llogari bankare dhe tre aktivitete tregtare, me një vlerë totale mbi 850 mijë euro

Por nuk mbaron me kaq. Bolognese Fiamme Gialle ka sekuestruar gjithashtu një shoqëri aksionare dhe pesë toka në provincën e Alessandria. Gjithashtu ka pasur edhe kontrolle të shumta, të cilat kanë çuar në zbulimin dhe sekuestrimin e katër armëve, dy prej të cilave të vjedhura, 200 gram kokainë, 7 mijë euro cash, dy peshore precize dhe material për paketimin e dozave.
JOQ Albania

Loading...