Zhvillimit aktual të zonës së Vlorës shumë shpejt do t’i shtohet një port turistik. Marina Vlorë është investimi që do sjellë impulse të reja në ekonominë e gjithë vendit.
Porti i ri do të zërë vendin e atij ekzistues industrial, për t’i dhënë Vlorës akses në linjat më të frekuentuara detare.
Porti i ri turistik do të lidhet në mënyrë harmonike me shëtitoren buzë detit (lungomaren) dhe më tej i hap mundësinë zgjatimit të saj drejt Pyllit të Sodës.
Në këtë formë zona turistike dhe këmbësore e qytetit zgjatet duke krijuar një nga bulevardet më të gjata buzë detit në gjithë rajonin e Mesdheut.
Përfaqësues të konsorciumit që ka marrë përsipër këtë investim madhor shprehen se Vlora dhe gjithë bregdeti shqiptar e meriton një marinë të krahasueshme me ato që kanë vendet e rajonit dhe Marina Vlorë do të plotësojë pikërisht këtë mungesë.
Dy miliardë e tetëqind milionë lekë do të jetë vlera e investimit, e parashikuar të shtrihet përgjatë 3-4 viteve. Volumi i punimeve do të përballohet me anë të kompanive lokale, duke siguruar kështu qindra vende të reja pune.
Nisur dhe nga vetë natyra e projektit, pozicionet më të shumta të punës do jenë në inxhinieri marinash, inxhinieri navigimi, informacion dhe teknologji komunikimi, ndërtim, arkitekturë, si dhe profile të ndryshme ekonomike.
Numri i të punësuarve parashikohet të kalojë 500 persona, duke dhënë kështu një kontribut të ndjeshëm në punësimin e banorëve.
Marina Vlorë do të ndjekë modelin e qendrave të ngjashme nëpër Europë, kurse në rajon mund të përmendim marinat në Malin e Zi apo Kroaci si më të afërtat.
Marina planifikohet t’i sjellë ekonomisë së Vlorës rreth 4,3 milionë euro në vit të ardhura. Bashkë me hotelerinë, restorantet dhe aktivitetet e ndryshme të lidhura me të, kontributi arrin mbi 20 milionë euro në vit. Marina Vlorë do të jetë vërtet një motor që do të ndihmojë ekonominë vendase.