Basha nxjerr videon: ‘Të vetmen besë që kam lidhur me Sali Berishën, që ditën e parë që i kemi dhënë dorën njëri-tjetrit kur kam qenë vetëm 17 vjeç, ishte për…’

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka publikuar një video në rrjetet sociale nga intervista për drejtorin e përgjithshëm të informacionit dhe programacionit në “News 24” Robert Rakipllari, ku thekson se nuk ka pasur besë me Sali Berishën për të mbrojtur njëri-tjetrin kur cenohen interesat personale.

“Të vetmen besë që kam lidhur me Sali Berishën, që ditën e parë që i kemi dhënë dorën njëri-tjetrit kur kam qenë vetëm 17 vjeç, ishte për angazhimin dhe përkushtimin tim pa asnjë kusht për demokracinë, për Partinë Demokratike, për demokratët, për Shqipërinë. E njëjta besë ka qenë edhe në 2005, kur u angazhova me gjithë forcat e mia për fitoren e Partisë Demokratike, e më pas për përmbushjen e projekteve që ndryshuan njëherë e përgjithmonë Shqipërinë, të cilat i rikthyen dinjitetin shqiptarëve.

Kurrë nuk ka pasur marrëveshje e as besë mes meje dhe Sali Berishës, që të shkelmonim sakrificën e demokratëve, për të mbrojtur njëri-tjetrin nëse cenoheshin interesat personale. Që pas 9 shtatorit gjithkush është shtangur nga etiketimet që Sali Berisha ka bërë ndaj meje. Natyrisht unë nuk kam ndërmend të shkel mbi vitet e bashkëpunimit me të, në të mirë të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Besa ime është për ta dhe për çdo demokrat, siç ka qenë ditën e parë”, shprehet Basha në postimin e tij.

“Tani sa i përket besë prerjes, që është një nga sulmet më të ulëta që është bërë në këto 2 muaj nga Sali Berisha. Nuk ka patur kurrë një besë midis meje dhe Sali Berishës për t’i rënë me shkelm sakrificës së demokratëve nëse cënohej interesi i njërit apo i tjetrit, për të mbrojtur shpinën e njërit apo të tjetrit. Jo! Me Sali Berishën na ka lidhur një tjetër besë nëse mund ta them këtë. Që e ka ditur ta vlerësojë edhe publikisht. Besa e vlerave euroatlantike, që na çoi dhe e çoi Shqipërinë në NATO, besa e interesit kombëtar për pavarësinë e Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare. Besa për interesat më të mira të shqiptarëve që nga heqja e vizave, tek ndërtimi i infrastrukturës moderne. Kjo ka qenë besa nëse mund të themi besë që kemi lidhur me njëri-tjetrin. Dhe jo t’i binim me shkelm sakrificës së demokratëve nëse cënoheshin interesat personale të tij apo të miat. Kjo është e vërteta! Dhe gjithçka tjetër është një spekulim i pastër për të mbrojtur hallet dhe problemet personale të Sali Berishës“, thotë kryedemokrati gjatë intervistës.

Loading...