U bë gazi i botës në internet, reagon kryebashkiaku për investimin ‘strategjik’: ‘Qesha me delirin tuaj, bëra për 7 ditë atë që nuk është bërë në 3 dekada’

U bë gazi i botës në internet, reagon kryebashkiaku i Bulqizës për investimin ‘strategjik’.

Lefter Alla, ka reaguar për investimin e bashkisë Bulqizë në lagjen Zogu në Dragu, që u bë objekt memesh në internet.

Përmes një postimi të gjatë, kryebashkiaku thotë se ka “qeshur me delirin e njerëzve”, ndërsa thekson se “për 7 ditë bëri atë që nuk është bërë në 3 dekada”.

Dje kryebashkiaku publikoi disa foto, ku na prezantoi me rrugën më të çuditshme në Shqipëri. Rruga ishte e shtruar në dy anët e saj me beton, ndërkohë që në mes kishte një hapësirë. Kjo nxiti reagimin e qytetarëve, ndërsa rrjeti shpërtheu me meme.
Pjesë nga shkrimi i Lefter Allës

Nga pasditja e djeshme (e enjte, 17 nëntor), kam ndjekur me shumë kureshtje reagimet pafund që mbushën rrjetet sociale rreth një postimi në faqen time për bashkëpunimin me banorë të lagjes Zogu në Dragu për të realizuar një rrugë modeste e të paprekur asnjëherë më parë.

Pas gjithë gazit e haresë së rrjetit, ku në jo pak raste edhe vetë qesha me nivelin e mundshëm të delirit të njerëzve, mendova se duhen thënë dy tre fjalë për të gjithë ata që ‘jetojnë në Instagram’.

Që në krye të herës e them hapur se njerëzit duhet të zbresin në realitet, me këmbë në tokë, të njohin vendin ku jetojnë, mundësitë dhe pamundësitë e tij, të të afërmve të tyre e të mos fshihen në prapaskenën e telefonëve celularë që mbajnë në duar. Duam apo s’duam, pa përjashtuar edhe veten time nga përgjegjësia që kam e mund të kem pasur ndër vite, Shqipëria jonë është kjo, me qytete që lënë për të dëshiruar, me fshatra të harruar, me rrugë të pashtruara, me probleme pafund në shëndetësi, arsim, kulturë e kudo tjetër.

Janë pafund zonat e thella malore të cilat s’kanë pasur asnjëherë fatin të njohin dorën dhe investimet e shtetit, e aq më tepër, banorët e tyre nuk dinë se ç’është instagrami, facebook-u, apo rrjetet e tjera sociale. Ata nuk e njohin kinemanë, s’e dinë s’e ç’është jeta e natës. Nuk e dinë se fundjava mund të shërbejë për shëtitje. Ata nuk e dinë jetën ‘mondane’ të atyre që komentojnë, e që më së shumti të vetmen formë argëtimi kanë këtë moment kur shkruajnë diçka, qoftë edhe për të qetësuar nervat e shtendosur nga paaftësitë e pamundësitë e tyre për të qenë ata që duan.

Po, zotërinj, po! Unë bashkëpunova me banorët e Zogës në Dragu për ta shtruar atë rrugë, qoftë edhe për aq sa u bë. E kam bërë edhe më përpara të njëjtën gjë me rrugët në Lepurakë, Dushaj, Lladomericë, Kodër e Danit , Boçevë, Sopot etj., diku me asfalt e diku tjetër me çakull.

Kryebashkiaku reagon për investimin “strategjik” në

Më janë dashur vetëm dy fadroma të Bashkisë Bulqizë së trashëguar si mos më keq nga 18 vitet e drejtuesve pararendës, që në dy vite të hap të gjitha rrugët e të gjitha fshatrave në të gjitha njësitë administrative, në Martanesh, Fushë-Bulqizë, Zerqan, Shupenzë, Gjoricë, Ostren e Trebisht. Me vetëm dy fadroma u tregova banorëve anekënd Bulqizës, edhe në fshatrat më të thellë, se janë pjesë e kësaj Bashkie, se ekziston një pushtet vendor drejtuesit e së cilit nuk shkojnë atje vetëm në fushata elektorale dhe u ringjalla besimin për të shpresuar tek shteti, të cilin nuk e njihnin.

Po, zotërinj, po! Me vetëm dy fadroma që kanë punuar pa pushim në shtatë ditë të javës bëmë atë që s’ishte bërë në pothuajse tre dekada nga paraardhësit e mi në detyrë. Me vetëm dy fadroma të bashkisë arritëm tek të gjithë, duke vlerësuar njeriun e dinjitetin e tij, e duke përçmuar çdo praktikë të shëmtuar që ndër vite i ka kategorizuar atë në të nënës e të njerkës.

Loading...