FIFA publikon renklistën e renditjes botërore për muajin nëntor, ja ku renditet Shqipëria dhe Kosova

Pas përfundimit të ndeshjeve në grupe për kualifikueset e botërorit “Katar 2022”, organi më i lartë i futbollit botëror, FIFA ka publikuar edhe renklistën e renditjes botërore për muajin nëntor.

Kombëtarja kuqezi e drejtuar nga Edi Reja, pas humbjes 5-0 në Londër ndaj Anglisë dhe fitores 1-0 në Tiranë ndaj Andorrës, ka zbritur me tre shkallë, duke u renditur aktualisht në vendin e 66-të në botë.

Ndërkohë, ngjitje në renditjen e muajit nëntor ka pësuar Kosova. Dardanët, në sajë të barazimit 1-1 në Athinë përballë Greqisë, e shikojnë veten në vendin e 111-të, dy vende më lart se një muaj më parë.

Renklista botërore “Coca Cola” e FIFA-s, vijon të kryesohet nga Belgjika, ndjekur nga Brazili dhe Franca. Anglia, Argjentina, Italia, Spanja, Portugalia, Danimarka dhe Holanda, plotësojnë “Top-10” vendet e para në këtë klasifikim të përmuajshëm.

Loading...