Presidenti i Republikës, Ilir Meta këtë të shtunë i është përgjigjur deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha përmes një mesazhi të publikuar nga zëdhënësi i tij Tedi Blushi në rrjetin social |”Facebook”.
Kreu i demokratëve, Lulzim Basha është shprehur se në trekëndëshin e të keqes janë më shumë se tre persona përveç Ramës, Metës dhe Berishës, janë edhe lidhjet me oligarkët dhe krimin kundër interesave të qytetarëve.
Teksa rendit disa nga shkaqet që sipas Blushit çuan opozitën drejt greminës si bojkoti i reformës administrative-territoriale, djegia e mandateve të deputetëve, zerimi i opozitës në pushtetin vendor, po ashtu ai thotë se kreydemokrati i është “lutur me lot në sy” Presidentit Meta, në Gjermani, për t’i anulluar zgjedhjet vendore të 30 Qershorit 2019.
Blushi gjithashtu shprehet se Basha po përpiqet që të spostojë vëmendjen nga kriza ku e ka futur opozitën me këto deklarata.
“Përsëri Kryetari kukull, me porosi të padronit të tij, në shëtitjet mediatike të komisionuara, u përpoq të provokonte Presidentin e Republikës Sh.T.Z Ilir Meta për të shfajësuar vetveten nga të gjitha greminat drejt të cilave e çoi opozitën nga 17 maj 2017 deri më 25 prill 2021.
Si Kontribuesi kryesor i Rilindjes, me KATËRKËNDËSHIN e përgjegjësive të Tij madhore:
Bojkoti i reformës administrative-territoriale;
Bojkoti i reformës administrative-territoriale
Djegia e mandateve të deputetëve;
Zerimi i opozitës në pushtetin vendor;
që sollën kapjen totale të shtetit, tashmë i vendosur të bojkotojë edhe Kuvendin e demokratëve nga pamundësia e ballafaqimit me ta, kërkon shpëtim duke kërkuar në mënyrë të mjerë të spostojë vëmendjen nga një tjetër krizë shumë e rëndë, ku e ka zhytur sërish opozitën.
Hipokriti, që gjoja do përmbyste me dhunë regjimin në mitingun e 8 qershorit 2019, iu lut në gjunjë dhe me lot në sy Presidentit Meta, në Gjermani, për t’i anulluar zgjedhjet vendore se nuk i kontrollonte dot më njerezit dhe se mund të kishte gjakderdhje.
Presidenti Meta në vlerësim të interesit publik dhe për të shmangur çdo përplasje, mori një vendim shumë të vështirë, për shfuqizimin e datës dhe për t’i dhënë mundësinë opozitës të përfshihej në një datë tjetër.
Por Hipokriti, që paska qenë në krah të Presidentit të Republikës, as nuk denjoi të regjistrojë PD në KQZ për zgjedhjet e 13 tetorit 2019, sepse kështu i interesonte Rilindjes, për t’i thënë botës, që Presidenti ia fut kot se PD nuk do zgjedhje.
Kryetari, kukull ka qenë, është dhe do të mbetet i tillë, deri në fund, dhe asnjë spërdredhje, pazar apo mashtrim nuk ja ndryshon dot fundin e paracaktuar si çdo kukulle në politikë”, shkruan Blushi.