Italia do të hapë dyert për 80 mijë emigrantë të rinj ekstrakomunitarë. Shteti fqinj pritet të aprovojë së shpejti vendimin për pranimin e rreth 80 mijë emigrantëve të rinj për motive pune, punësim sezonal apo punë autonome.
Drafti ligjor për këtë fluks të ri emigrantësh do të miratohet brenda muajit dhjetor të 2021 e po punohet nga disa ministri të kabinetit Draghi e në veçanti nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Punës.
Fluksi i kësaj kuote të re emigrantësh do të jetë për vendet ekstrakomunitare si Shqipëria, Bosnja, Hercegovina, Tunizia, Algjeria, Bangladeshi etj.
Emigratët e rinj kërkohen të punësohen në sektorin e autotransportit, prodhimit, ndërtimit, hoteleri-turizëm, bujqësi. Një kuotë i është rezervuar emigrantëve që kanë kryer kurse profesionale të specializuara në vendet e tyre të origjinës.
Ky vendim ka shkaktuar debate politike brenda qeverisë italiane. Është Partia Lega e cila kërkon të analizojë çdo detaj të këtij dekreti të cilin e quan momentalisht të panevojshëm për shkak se Covid 19 ka shkaktuar një rëndesë ekonomike për shtetin italian.
“Janë gati 3 milionë qytetarë që marrin pagën e ndihmës për shkak të papunësisë e varfërisë me një kosto rreth 9 miliardë euro në vit për arkën e shtetit e çdo ditë zbarkojnë në brigjet italiane me dhjetra qindra emigrantë përmes Mesdheut”, ka deklaruar nënsekretari i shtetit për Ministrinë e Brendshme, legisti Nicola Molteni.
“Në këtë moment të hapësh kufijtë për emigrantë të rinj është një vendim i nxituar”, ka thënë ai.
Ky numër i ri emigrantësh që brenda këtij viti pritet të hyjë në Itali është gati trefish më shumë se ai i një viti më parë.