Pas publikimit të fotove të Sali Berishës me Enver Hoxhën,reagon Isuf Kalo, mjeku i familjes Hoxha, zbulon detajet e fotografisë

Pas publikimit të fotove të Sali Berishës me Enver Hoxhën, ka reaguar Isuf Kalo, mjeku i familjes Hoxha që zbulon detajet e fotografisë.

Sipas Kalos, arsyeja e prezencës së Sali Berishës ka qenë njohja e tij personale me të renë e Enverit, Liljana Hoxhën, e cila ishte aso kohe kryeredaktore e revistës së atëhershme “Shkenca dhe jeta”, në të cilën ish lideri i PD ishte njëri prej anëtarëve aktivë të kolegjiumit.

Berisha bashkë me profesor Kalon janë ftuar nga familja Hoxha në një drekë familjare në Pogradec. Sipas Kalos, lidhjet e asaj kohe të dr. Berishës me banorë të veçantë të Bllokut kanë qenë të natyrës profesionale.

“Ndiej detyrë qytetare dhe etike profesionale si ish-mjek personal aso kohe i Enver Hoxhës dhe familjes së tij, prezent së bashku me kolegun tim, dr. Sali Berisha në fotot e botuara sot në shtyp të qartësoj opinionin publik lidhur me të vërtetat dhe rrethanat në të cilat ato janë realizuar. Arsyeja e prezencës së dr. Sali Berishës në to ka qenë kryesisht njohja e tij personale me të renë e Enverit, Liljana Hoxhën, e cila ishte aso kohe kryeredaktore e revistës së atëhershme “Shkenca dhe jeta”, në të cilën dr. Berisha ishte njëri prej anëtarëve aktivë të kolegjiumit.

Ajo dhe i shoqi, Sokoli, e patën ftuar miqësisht atë, si edhe mua, që isha përveçse mjek i tyre edhe koleg e mik i Saliut, edhe në një drekë familjare në Valarekë të Pogradecit, si dhe në një shëtitje familjare të përbashkët me varkë që janë ilustruar me fotot respektive. Kjo meqë dr. Berisha njëkohësisht ndodhej aso kohe gjithashtu me pushime ne atë qytet.

Në foton tjetër ku duken Enveri dhe Nexhmije Hoxha në ecje e sipër dhe njëkohësisht dr. Berisha në sfond, ky ka qenë aty po ashtu i ftuar personalisht bashkë me të ftuarit e tjerë nga Liljana dhe i shoqi në ambientin familjar të shtëpisë së tyre në Bllok thjesht për urim, për t’i uruar ditëlindjen e saj. Koincidoi që Enveri me të shoqen erdhën gjithashtu në atë moment për të uruar të renë.

Ata vetvetiu përshëndeten siç është zakoni edhe të pranishmit e tjerë aty, ndonëse nuk ishin të njohur prej tyre personalisht më parë, por pa u interesuar e pa biseduar veçanërisht me asnjërin prej tyre.

E vërteta është qe dr. Sali Berisha ka konsultuar episodiksht si kardiolog disa të sëmurë të Bllokut, por asnjëherë personalisht Enver Hoxhën dhe as familjarët e tij. Në dijeninë time lidhjet e asaj kohe të dr. Berishës me banorë të veçantë të Bllokut kanë qenë të natyrës profesionale, pa kuontitacione të posaçme politike”, shkruan profesor Isuf Kalo./noa.al

Loading...