Kardhiq – Delvinë, aksi që sjell zhvillim të turizmit dhe ekonomisë

Ndërtimi i rrugës Kardhiq – Delvinë, është një nga projektet e paketës transformuese për zhvillimin e infrastrukturës së vendit.

Buxheti afatmesëm i qeverisë 2019-2021 parashikon vijimin e financimit të këtij aksi shumë të rëndësishëm dhe me impakt në ekonominë dhe turizmin e vendit.

Aktualisht është hapur procedura e tenderimit që ka si objekt hartimin e projektit të tunelit me gjatësi 1 km (loti 7) dhe hartimin e projektit për lotin 2, që përfshin pjesën nga fshati Shijan deri në hyrje të qytetit të Delvinës.

Kjo rrugë është cilësuar një nga akset më prioritare, që shkurton në rreth 3 orë kohën e udhëtimit nga Tirana deri në Sarandë, duke i dhënë një hov të mëtejshëm turizmit.

Po ashtu, aksi Delvinë-Kardhiq bën të mundur që zona Gjirokastër-Sarandë-Përmet, sidomos Gjirokastër-Përmet, që nuk preket njëlloj nga zhvillimi ekonomik, të integrohet në zonën turistike në një paketë të mundshme turistike për shkak të infrastrukturës që bëhet shumë e thjeshtë.

Saranda nga qyteti i Gjirokastrës do të bëhet për 25-30 minuta, që do të thotë se çfarëdolloj oferte turistike që do të ofrojë Shqipëria në Sarandë, tanimë bëhet paketë së bashku me Gjirokastrën dhe bukurinë natyrore, apo ushqimin bio të Përmetit.

Aksi rrugor Kardhiq – Delvinë ka një gjatësi 33 km dhe përshkon rrethin e Gjirokastrës, Delvinës dhe Sarandës. Punimet për ndërtimin e tij nisën në vitin 2009, por vazhdimësia e projektit është ndërprerë. Deri më tani janë përfunduar rreth 16 km rruge ndërsa 14,5 km të tjerë janë sot në fazën e zbatimit të punimeve sipas standardeve bashkëkohore.

Me buxhetin afatmesëm 2019-2021, qeveria vijon mbështetjen buxhetore për të çuar përpara projektet infrastrukturore, të cilat i japin një shtysë të re zhvillimit të ekonomisë.

Sipas projektbuxhetit afatmesëm 2019-2021 do të ketë një rritje të investimeve në infrastrukturë, në masën 2,8% të PBB. /m.m/

ATSH

Loading...