Lulzim Basha konfirmoi edhe publikisht lajmin se rruga që do të ndiqet për të kontestuar Kuvendin e Sali Berishës nuk do të jetë ajo për kundërshtimin e vendimmarrjes së tij, por procedura e ndjekur për thirrjen e këtij Kuvendi përmes padive që mund të ngrihen për falsifikim të stemës, vulës dhe logos së partisë.
“Kryesia ngarkoi Sekretariatin ekzekutiv të ndjekë të gjithë hapat për të vënë para përgjegjësisë ligjore dhe penale të gjithë personat përgjegjës për falsifikimin dhe shpërdorimin e simboleve të institucioneve të Partisë Demokratike”, deklaroi Basha.
Një tjetër front penalizues do të hapen brenda radhëve të deputetëve dhe organeve drejtuese të partisë, me synim largimin e personave që mbështesin Sali Berishën.
“Me atributet e mia si kryetar i Partisë Demokratike do t’i njoftoj Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike edhe vendimet e mia sa i takon disa funksioneve të tjera të shpërdoruara në këtë proces që kanë të bëjnë me drejtimit politik të Partisë dhe drejtimin parlamentar të Partisë”, vijoi Basha.
Më tej, Basha siguroi se ai dhe Kryesia janë në detyrë.
“Sigurojmë gjithë së bashku si Kryesi të gjithë demokratët se institucionet e Partisë Demokraike, duke nisur nga Këshilli Kombëtar, Kryesia dhe Kryetari vazhdojnë të jenë në krye të detyrës, në përmbushje të përgjegjësive statutore dhe në shërbim demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Basha.