Nga kalaja e Pogradecit, në jugperëndim të liqenit të Ohrit, që daton në shekujt e V-të dhe të IV-t para Erës sonë, ka rrënjët një nga qytetet më të bukura në Shqipëri: Pogradeci, apo Enkelana, qyteti i lashtë ilir, siç e kanë identifikuar arkeologë dhe studiues.
Pamja që ofron pjesa më e lartë e kalasë është e jashtëzakonshme. Poshtë liqeni shkrihet ëmbël me qytetin, ndërsa nga pas, gjelbërimi është ana tjetër e medaljes. Dukshëm, këtu shkrihen bashkë natyra dhe historia.
Gjurmët më të hershme të banimit i përkasin shek. V p.l.K kur ai ka ekzistuar si një vendbanim i pafortifikuar. Në shek. IV p.l.K, ai pajiset me mure mbrojtëse dhe fillon të shërbejë si një qëndër e vogël qytetare banorët e së cilës merreshin kryesisht me bujqësi, peshkim dhe zeje të ndryshme.
Kjo qendër kishte marrëdhënie edhe me qendër banimet fqinje. Në gjysmën e dytë të shek. II p.l.K, gjatë luftërave iliro-romako-maqedone, vendbanimi shkatërrohet nga një zjarr i fuqishëm, i cili mund të jetë shkaktuar gjatë ndonjë beteje mes forcave kundërshtare. Kjo konfirmohet edhe nga gërmimet arkeologjike, të cilat kanë evidentuar gjurmët e një shtrese hiri që i përket shtresës kulturore të shek. II p.l.K.
Pas luftërave banorët e ringritën vendbanimin, por nuk e rrethuan sërish me mure sepse gjatë kësaj periudhe, që përkon me periudhën Romake, territoret e pushtuara nga Roma, ku futej edhe rajoni i Pogradecit, përjetuan një epokë tre shekullore paqeje gjatë së cilës nuk ishte i nevojshëm fortifikimi i vendbanimit.
Fillimi i dyndjeve barbare në shek. IV m.Kr solli nevojën e ringritjes së mureve rrethuese të cilat u ndërtuan mbi gjurmët e murit antik.
Ky fortifikim i ri i shërbeu banorëve deri në shek. IX m.Kr kur vendbanimi u shkatërrua prej pushtuesve sllavë dhe u braktis përfundimisht nga banorët, të cilët shkuan të jetojnë në rrëzë të tij./atsh