Kryeministri Edi Rama akuzon opozitën për skandalin e nxjerrjes së të dhënave të listave të pagave të shqiptarëve, që sipas tij kanë qëllim destabilizimin e vendit.
“Duke pasur parasysh deklaratat e bëra nga foltoret e Kuvendeve dhe anti-Kuvendeve mund të mos jetë e fundit, prandaj thirrja ime për prokurorinë është që të hetojë duke kërkuar që të përgjigjen jo vetëm të gjithë pa përjashtim, inspektorët e tatimeve që kanë akses në sistemin e pagave për arsye të punës, ata që aktualisht punojnë në këtë sistem apo të tjerë që mund të jenë larguar nga ky sistem në periudhën nga të dhënat e nxjerra dhe deri më sot, por edhe nga ata që nga foltoret e Kuvendeve dhe anti-kuvendeve paralajmërojnë zymtyra të tjera.
Dua të sqaroj se këtu kemi të bëjmë me një ndërhyrje, që duhet hetuar deri në fund për prejardhjen e saj, por që nga analizat paraprake ngjan më tepër si ndërhyrje nga infiltruari i brendshëm dhe jo nga infiltrimi i jashtë në formën e një sulmi kibernetik, gjë që ndodh edhe kjo.
Nuk jemi as të parët dhe as të fundit, nëse i referoheni vetëm periudhës së fundit kohore, 2019-20-21, ngjarje të tilla kanë ndodhur në shumë vende me kapacitete shumë të larta të mbrojtjes kibernetike, nga SHBA, Kanada dhe Britani e me radhë’ tha ai.