Prokuroria e Tiranës ka nisur një verifikim në lidhje me publikimin e të dhënave personale, paga dhe ID të rreth 630 mijë qytetarëve të ndryshëm. Dokumenti në formën e një linku që po përhapet me shpejtësi në platformat sociale, i përket muajit janar 2021. Bëhet fjalë për rrjedhjen më të madhe të informacionit, i cili ka të bëjë me pagat mujore të qindra e mijëra qytetarëve shqiptarë, të cilët punojnë në sektorin privat dhe në administratën publike.
Pas shpërndarjes së listës prej 630 mijë emrave të qytetarëve të punësuar në sektorin privat dhe publik, ku nuk përjashtohen edhe pagat e inspektorëve të Shërbimit Informativ, të Ushtrisë, Policisë dhe agjentëve të saj, Prokuroria deklaroi se ka nisur verifikimet për dyshimet e përhapjes së sekretit personal në bashkëpunim.
Tabela e plotë ka zbuluar materiale që cenojnë jo vetëm privatësinë e individëve të zakonshëm, por rrezikojnë dhe vjedhjen e identitetit apo abuzimet në rrjetet financiare apo bankare. Dokumenti me pagat e qytetarëve po shpërndahet masivisht përmes rrjetit Whatsapp dhe platformës Tik Tok dhe mund të hapet nga çdo pajisje elektronike.
Por si doli ky dokument?
Gazeta TemA ka siguruar emrin nga ka dalë kjo listë, por që jo domosdoshmërisht është personi që e ka shpërndarë. Nga analiza e dokumentit të shpërndarë në transfer del një user me emrin e Moza Seraj. Personi në fjalë është krijuesi i këtij file, por siç e theksuam, jo domosdoshmërisht është ajo personi që e ka publikuar listën.
Vlen të theksohet se lista është vjedhur në mënyrë manuale dhe nuk kemi të bëjmë me një cyber attack. Lista është marrë me exel nga inspektorë të caktuar që kanë pasur lidhje pune me këto të dhëna sensitive. Më pas, dikush e ka shpërndarë me Whatsapp, duke përfunduar kështu tek mijëra persona. Hetimet e Prokurorisë ndërkohë, pritet të sqarojnë se çfarë ka ndodhur vërtet dhe nëse lista është shpërndarë me qëllim.