Një nxënës i vitit të dytë në gjimnazin “Ibrahim Temo” në Strugë ka përfunduar në spital pasditën e sotme pasi është goditur me doreze hekuri nga mësuesi i anglishtes.
Ngjarja, siç tregojnë mësuesit tjerë, ka ndodhur në tualetin e shkollës, pas orës 13 para fillimit të turnit të dytë. Menjëherë pas kësaj mësuesi është mbyllur në kabinetin e tij, ndërsa nxënësit kanë tentuar të futen brenda, por mësuesit kanë penguar të vijë deri te ndonjë incident më i madh. Mësuesja Florentina Hani ka qenë dëshmitare e rastit
Nxënësi i cili është nga Velesta, me lëndime të rënda është transferuar menjëherë në repartin e kirurgjisë në Spitalin e Përgjithshëm në Strugë. Ata për Alsat kanë bërë të ditur se ai është pranuar me lëndime dhe gjakderdhje në anën e majtë të kokës dhe aktualisht është në vetëdije. Kësaj ngjarjeje i ka paraprirë një tjetër ngjarje para dy ditëve, ku është përfshirë i njëjti profesor, i cili sipas drejtorit, ka ofenduar me fjalë të turpshme një kolege, ndërsa i është kërcënuar edhe nxënësit që sot është sulmuar. Për atë ngjarje, me propozim të komisionit disiplinor, profesori është suspenduar për tre muaj.
Bëhet fjalë për një problem që vazhdon prej disa vitesh. Nga shkolla thonë se i kanë marrë të gjitha masat ligjore që kishin në dispozicion nga paralajmërimet me gojë dhe me shkrim, pezullim të përkohshëm, dhe gjobë në para për mësuesin. Kanë edhe një konstatim mjekësor se ai nuk mund të jetë në punë në prani të nxënësve.
Për këtë janë informuar të gjitha institucionet. Ata nga Ministria e Arsimit kanë kërkuar financimin e një vendi të ri pune, që të mos mbetet pa punë, por nuk kanë marrë përgjigje. Nga SPB Ohër thanë se mësuesi është arrestuar dhe po punohet në zbardhjen e plotë të rastit.