Regjisori dhe skenaristi i njohur, Jean-Marc Vallée, ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare.Sipas mediave ndërkombëtare, bëhet me dije se Vallée ka vdekur në kasollen e tij në periferi të qytetit Quebec. Ndërkohë, shkaku i vdekjes nuk është përcaktuar ende.
Përmes një deklaratë për media, partneri i Vallées në biznes, Nathan Ross, tha: “Jean-Marc ishte person i cili e promovonte kreativitetin, autenticitetin dhe eksperimentimin me gjëra të ndryshme. Ai ishte një artist i vërtetë dhe një burrë zemërgjerë dhe shumë i dashur. Të gjithë ata që kanë punuar me të, nuk kanë pasur si të mos e shohin talentin dhe vizionin që ai e posedonte. Ai ishte mik, partner kreativ dhe një vëlla i madh për mua. Mjeshtri i madh Vallée do të na mungojë shumë, por është ngushëllim kur dihet se puna e tij me stil dhe ndikim të cilën ai e ndau me botën, do të vazhdojë të jetojë”.
Regjisori kanadez nuk ishte i martuar por i ka lënë pas dy djemtë, Alex dhe Émile.
Jean-Marc Valléenjihet për regjinë e filmave, “Dallas Buyers Club” dhe “Wild” si dhe serialet hit të kanalit HBO, “Big Little Lies” dhe “Sharp Objects”.