Nga William Hague “Times of London”
Dy gjëra më kanë mbetur ende në mendje nga takimi im i parë me Vladimir Putin në Kremlin si Ministër i Jashtëm i Britanisë, së bashku me kryeministrin David Cameron një dekadë më parë. E para po mendoja, se ai kishte sytë më të ftohtë që kisha parë ndonjëherë tek dikush.
Dhe të mendosh që kam takuar shumë nga kriminelët dhe tiranët më të mëdhenj të botës, kjo do të thotë diçka. E dyta më bëri përshtypje fakti se ai donte thjesht që të na shiste më shumë karburant. Më shumë se në çdo çështje tjetër, ai vazhdoi të fokusohej tek çështja e gazit.
A nuk kishim ne nevojë për më shumë gaz? Po për një gazsjellës special që e dërgonte gazin direkt në Britani? A nuk do ta entuziazmonte kjo gjë popullin tonë? Por edhe atëherë kur vendet perëndimore po përpiqeshin që të “rivendosnin” marrëdhëniet me Moskën, ne e refuzuam atë ofertë.
Putin drejton një piramidë të fuqishme financiare dhe politike në Rusi, të mbështetur nga të ardhurat nga hidrokarburet. Prandaj ai është gjithmonë kaq i fokusuar tek të bërit biznes. Por nga ana tjetër, ai është i aftë edhe në përçarjen e vendeve evropiane, duke neutralizuar atë që ai e sheh si kërcënim të Perëndimit ndaj sferës rusë të ndikimit nëpërmjet një përzierjeje të shfrytëzimit të mediave sociale, diplomacisë së zgjuar, frikësimit ushtarak dhe furnizimit me gaz ose ndërprerjes së tij.
Për të, fitimi dhe pushteti shkojnë shumë mirë së bashku .Disa nga aleatët tanë nuk kanë qenë dhe aq rezistentë ndaj kësaj strategjie. Gjermania ka lejuar ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, dhe po has shumë vështirë në bisedimet e partive për një qeveri të re, që nxiten edhe nga debatet mbi këtë gazsjellës.
Sapo Berlini ta pranojë këtë linjë të re, Ukraina dhe të tjerët do të jenë shumë më të ekspozuar ndaj Putinit, që do të refuzojë transportin e gazit rus nga gazsjellësit nga të cilët
varen vendet fqinje. Çdo pikë e dobët e çdo vendi perëndimor, është shfrytëzuar me shumë zell nga Moska.
Polonia, aktualisht e distancuar nga partnerët e saj në BE, po përballet me një krizë refugjatësh në kufirin e saj me Bjellorusinë. Hungaria, së cilës i mungojnë miqtë në Bruksel, ka gjetur një mik të ri në Moskë. I gjithë Perëndimi kujtohet për dobësinë e tij strategjike nga dhjetëra mijëra trupa ruse që grumbullohen pranë Ukrainës, situatë që na nxit të pyesim veten se çfarë mund të bëjmë.
Për secilin prej këtyre kërcënimeve ekzistojnë përgjigje. Përgjigja e unifikuar e Perëndimit ndaj helmimeve që ndodhën në Salisbury në vitin 2018, tregoi se aftësia për të vepruar me vendosmëri dhe së bashku, është më shumë “e fjetur” sesa e zhdukur.
“Nord Stream 2” është një projekt që duhet të braktiset edhe në këtë fazë të vonë. Po ashtu mund të bihet dakord për sanksione të reja, kundër aktiviteteve të trafikimit të refugjatëve nga ana e regjimit të Lukashenkos në Bjellorusi. Ukraina mund të përfitojë nga armët më të sofistikuara mbrojtëse të Perëndimit për të penguar ngacmimet e vazhdueshme nga Rusia.
Por një zonë thelbësore për vendet perëndimore, ku duhet ndërhyrë për t’iu kundërvënë një erozioni të qëndrueshëm të stabilitetit është Ballkani. Historia ka treguar shumë herë, se neglizhimi i Ballkanit Perëndimor është diçka shumë e rrezikshme.
Kjo pasi atje nisi Lufta e Parë Botërore në vitin 1914, dhe aty u shpërfaqën në vitet 1990 skenat më të përgjakshme të luftës në Evropës që nga viti 1945. Dhe po aty janë edhe çështjet botërore në mikrokozmos – ndërhyrja ruse, zhgënjimi me idealet evropiane, distancimi i Uashingtonit, tentakulat e ndikimit kinez, korrupsioni i shumë-përhapur, rrugët tërheqëse për emigrimin e paligjshëm, dhe një e kaluar konfliktuale.
Në këtë rajon Rusia ka provuar gjithçka për të dëmtuar aspiratat e miliona njerëzve se mund të jetohet në vende të qëndrueshme dhe me orientim perëndimor. Një tentativë për grusht shteti në Malin e Zi, një ndërhyrje e fortë gjatë referendumit mbi çështjen e emrit në Maqedoni, një forcim i kontrollit mbi biznesin dhe jetën politike në Serbi.
Si për të “kompletuar” këtë rrëmujë, BE-ja i ka mbyllur derën shpresave për zgjerim të mëtejshëm,ndërsa Britania e Madhe ka humbur ndikimin e saj për shkak të Brexit. Ky rajon është problematik. Qeveritë dhe elektoratet perëndimore e kanë të lehtë të ndihen të lodhura me Ballkanin.
A nuk mund t’i zgjidhin vetë problemet që kanë? A nuk jemi ne të zënë me Kinën, ndryshimet klimatike dhe Covid-19? Për shumë njerëz është joshëse që të fokusohen tek çështje të tjera. Megjithatë ne nuk e kemi atë luks.
Për vite me radhë, udhëheqësi i Republikës Srpska me shumicë serbe, Milorad Dodik, e ka minuar shtetin e Bosnje-Hercegovinës, dhe e ka bërë këtë me mbështetjen aktive të Rusisë dhe Serbisë. Për Moskën kjo i shërben qëllimit të saj të bllokimit të zgjerimit të institucioneve euro-atlantike.
Bosnja do të ishte si Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, pra pa asnjë mundësi për t’u anëtarësuar në NATO apo për të funksionuar ndonjëherë si një vend normal. Javët e fundit, situata është rënduar shumë. Dodik është pranë shkëputjes nga Bosnja, një vend me balanca shumë të brishta midis kroatëve, boshnjakëve dhe serbëve.
Ai ka deklaruar se do të ngrejë sërish një ushtri serbe të Bosnjës, pikërisht institucionin që ishte dikur përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë. Ai po synon që të përfitojë nga dobësia dhe shpërqendrimi i Perëndimit për të nxitur një krizë që të çojë në rishikimin e kufijve, me territorin që ai drejton që i ribashkohet Serbisë.
Ky zhvillim përbën një sfidë direkte ndaj Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Dhe kur dikush ka mundësi të ndryshojë sërish kufijtë e vendeve mbi baza etnike, janë shumë më tepër pakica, vendndodhja e të cilave mund të shfrytëzohet për të justifikuar ndryshimin e kufijve të tjerë:serbët etnikë në Malin e Zi, shqiptarët etnikë në Kosovë, rusët etnikë në shtetet baltike.
Askush nuk duhet të dyshojë se ajo që po ndodh përbën një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e fqinjësisë evropiane. Bota po ndërgjegjësohet mbi këtë gjë. Ministrat e Jashtëm të BE-së po diskutojnë intensivisht mbi këtë situatë.
Javën e kaluar, përfaqësuesi i lartë i OKB-së për Bosnje-Hercegovinën, Christian Schmidt, paralajmëroi se vendi “përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial të periudhës së pasluftës”, dhe se “perspektivat për ndarjen e vendit dhe një konflikt iri janë shumë reale”. Paraardhësi i tij, Paddy Ashdown, bëri një punë të shkëlqyer 20 vjet më parë, për të treguar se nuk do të tolerohej shkelja e Marrëveshjes së Dejtonit.
Por në atë kohë, ai kishte mbështetjen e fortë të kryeqyteteve perëndimore, që e kishin shumë të freskët në mendje konfliktin e egër që sapo kishte përfunduar. Gjatë problemeve të mëvonshme, BE-ja ka zgjedhur qasjen e “dialogut”, duke shfaqur akoma më qartë dobësitë.
Ministria e Jashtme britanike do t’i ngrejë me forcë këto çështje kur Ministrat e Jashtëm të NATO-s të takohen në Riga të Letonisë muajin e ardhshëm. Por ndërkohë nevojiten disa vendime urgjente dhe veprime të bashkuara. Britania dhe BE-ja, duhet t’i bashkohen SHBA-së në vendosjen e sanksioneve ndaj kujtdo që shkel Marrëveshjen e Dejtonit.
Vendet perëndimore duhet të riafirmojnë njëzëri mbështetjen e tyre për përfaqësuesin e lartë në Bosnje, duke mbështetur ndërhyrjen e tij të drejtpërdrejt në çështjet e Bosnjës për të mbrojtur integritetin e vendit. Më e rëndësishmja, forca e vogël evropiane e njohur si EUFOR duhet të përforcohet me trupat e NATO-s të dislokuara në zona strategjike kritike si Brcko dhe aeroporti i Tuzlës.
Masa të tilla mund të duken si dramatike, por është vetëm forca, vendosmëria dhe gatishmëria për të vepruar,ajo që do të pengojë shfaqjen e më shumë telasheve. Rënia e Afganistanit në duart e talebanëve, tregoi se çfarë ndodh kur Perëndimi e humb fokusin.
Nuk mund të lejohet të ndodhë e njëjta gjë brenda kontinentit të Evropës. Ndonjëherë Perëndimi duhet të shohë drejt e në sytë e ftohtë të Putinit dhe të përballet me taktikat dhe bashkëpunëtorët e tij. Ballkani është një vend thelbësor për t’ia filluar. /abcnews.al