Lamtumirë Ndoc Mulaj, Ambasadori i maleve tona!

Përcolla një mik të dashur sot. Ndoc Mulajn, një 53 vjeçar nga Mulajt e Mërturit, katolik i fiseve të maleve tona të Veriut, i apasinonuar me majat, qafat, kalimet, shtigjet, krojet, lumenjtë dhe shpellat, për të cilat ai ngulmonte se janë bira… sepse kështu i quajnë në anët e tij.

Babai i Dejvit dhe Deas, i shoqi i Violetës, vëllai i Markut, Sokolit, Agimit, Liries, Meritës dhe Dafinës.

Ndoci ishte diçka më vete për shumë njerëz, por unë dua të flas për atë çka është për mua. Ai ishte, pra, burri që, përveçse i donte malet, i kuptonte ato, i dëgjonte kur pëshpërisin kode apo heshtje të veçanta, që vetëm malësorët i kapin. Ndoci ishte filozof i maleve, jo një ekskursionit, shkelës i rëndomtë i tyre. Si mund ta kuptosh ndryshe një malësor, që i ka lindur krye në malet e madhërishme dhe njëheri të ashpra të anëve të tij, që u kthehet atyre me ngulm në moshë të rritur. Jo vetëm me pasionin e rinjohjes së tyre, por edhe me dëshirën për t’ua hapur ato syve, zemrave dhe mendjeve të të tjerëve.

Kush shkon në male e di se shumicën e shtigjeve të tyre i ka markuar (shenjuar) Ndoc Mulaj. Nga Livadhi i Hamzës në Tërbun, nga Livadhet e Hapura në Cukal, nga Bicaj në Krrab, nga Lumi i Shalës te Guri i Blinit të Lekës, e më tej deri në Theth, përgjatë Lumit të Shalës, apo më lart në Mollë të Shoshit, është Ndoc Mulaj me dorën dhe filozofinë e tij. Nëse iu bie rruga andej, boja e shiritave bardh-e-kuq në gurë, në trungje ahesh apo lisash, është prej dorës së tij. Kur shihni tabela shtigjesh malore të specifikuara hollë, me drejtime dhe kilometra, sa në Shkodër, Malësi të Madhe, Pukë apo Tropojë, është si të keni Ndoc Mulajn, dhe shpirtin e dalë nga trupi i tij pasditen e së enjtes së 30 dhjetorit, t’ju prijë për në zemër të maleve.

Ndoci ishte i drejtë si malësorët, në shtat dhe në fjalë. Brenda tyre mund të gjeje, jo rrallë, ironinë e hollë të njeriut që e ka parë jetën nga lartësitë e gjeografisë së vendit të tij dhe historisë së vet personale, të cilat nuk lejojnë fjalë të tepërta dhe akte të pakta. Ai e përdorte këtë ironi edhe për të mbuluar padijenitë e tij ndonjëherë. Si, për shembull, kur ktheheshim nga ngjitja në malin e Krrabit dhe, pasi kaluam Pukën, e pyeta “si quhet ai fshati atje në shpat të malit, Ndoc’. ‘As nuk më intereson fare’, ma priti. Ishte mënyra e tij sarkastike për të thënë ‘nuk e di’. Dhe Ndoci nuk ia lejonte vetes të mos dinte diçka për malet tona, fiset, ujrat, befasitë dhe tundimet e tyre.

Ndoci ishte mishërim i ironive të holla edhe brenda jetës së vet. Ai kishte probleme me zemrën dhe, pas një ndërhyrjeje, mjekët i kishin implantuar dy unaza koronare. Megjithatë, me krenarinë, unazat në zemër, dhe dashurinë për malet, nuk iu nda ngjitjeve dhe zbritjeve nga ato lartësi të cilat e thërrisnin.

Si në jetë, ashtu edhe në vdekje.

Me ato unaza në zemër Ndoc Mulaj dha trup në zemër të maleve tona, në Munellë, diku mes Mirditës dhe Pukës. Dha trup dhe fitoi shpirt, siç do të mund të thoshte dom Gjergj Meta, të cilin Ndoci e kishte ftuar ta bënte atë ngjitje në Munellë bashkë me ne atë ditë dramatike të 30 dhjetorit.

Trupi i Ndocit ra dhe shpirti ju ngjit lart, bash poshtë Majës së Kryqit në malin e Munellës. Tek i shihja kryqin dhe rruzaren sot mes duarve të pajeta, tek më kujtoheshin bisedat me të, me njëfarë dyshimi për fenë, nuk mund të mos më vizitojë një maksimë nga Bibla, ku Zoti i drejtohet njeriut: Ti që nuk ke marrë pjesë në krijimin tënd, si mund të mos më kërkosh të jem në shpëtimin tënd.

Ndoci u nda nesh fizikisht, por na la mistikën e maleve të tij, praninë e maleve tona. Siç shkruante vetë në një postim të të 15 nëntorit të këtij viti:

Kur të vdes, le të bahem bar,

në malet e mia në pranverë,

në vjeshtë do të bahem farë.

Kur të vdes, le të bahem ujë,

e fryma ëme avull,

në fushë do të bie shi.

Kur të vdes, le të bahem gur,

në skajin e vendit tim,

të qindroj kufi.

-Martin Camaj

Ndoc Mulaj u kthehet maleve të veta, cilat ia dhanë jetën, por në një moment befasie edhe ia morën. Ai mund të kishte vdekur në shtrat nga zemra, por zgjodhi të vdiste aty ku kishte zemrën.

Sa herë të dal në male, unë do t’i thërras. në majekrahin e fiseve tona të Veriut: “O tunjatjeta, o Ndoc Mulaj, more heeeheeehheeeeejjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjj!

Loading...