Ky është reparti i Forcave të Armatosura që u dekorua me medaljen “Repart i shquar”

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, dekoroi me medaljen “Repart i Shquar” Batalionin e Dytë të Këmbësorisë të Forcës Tokësore (b2kFT).

Në ceremoninë e organizuar në mjediset e Batalionit të Dytë të Këmbësorisë, morën pjesë: komandanti i Forcës Tokësore gjeneralmajor Nazmi Cahani, drejtori i Shtabit të Përgjithshëm kolonel Petrit Çuni, komandanti i b2kFT kolonel Arjan Hilaj, komandantë repartesh vartëse të FT.

Gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku në fjalën përshëndetëse drejtuar pjesëmarrësve u shpreh se: “… ky dekorim është një vlerësim i merituar, që i bëhet këtij reparti elitë dhe prioritar të Forcave të Armatosura dhe se kjo medalje sot shkon, për të gjithë efektivin e b2k, si për komandantin e batalionit ashtu dhe për çdo ushtar, nënoficer e oficer të batalionit.

Akordimi i kësaj medalje është një nderim që ju e keni fituar me djersë, vetëmohim dhe sakrifica përgjatë gjithë këtij viti kalendarik. Shtabi i Përgjithshëm dhe FT ka qenë pranë jush gjatë gjithë stërvitjeve të këtij viti, që nga “Fekeni -18” e deri te stërvitja “Biza-18”. Kjo është detyra jonë, është më e pakta që mund të kishim bërë për ju, sepse ju sakrifikuat, luftuat fort të gjithë këtë periudhë dhe merituat të jeni njësia e parë Combat Ready sipas kapaciteteve të NATO për GBKL.

Ky ishte një objektiv kombëtar, që mund të realizohej vetëm nga djem dhe vajza si ju. Në sytë tuaj, unë shikoj përkushtim, disiplinë, sakrificë dhe ju me të vërtetë e meritoni. Ta gëzoni këtë medalje!”

Në vijim të fjalës gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, u shpreh se “MM dhe SHPFA do të vazhdojë t’ju mbështesë për të ruajtur këtë nivel gatishmërie, por edhe për të na përfaqësuar në të gjitha sfidat që ne do të kemi jashtë vendit në kuadër të NATO, por edhe ato brenda vendit për përballimin e sfidave të Emergjencave Civile. Ne jemi të sigurt, që me djem dhe vajza si ju, çdo detyrë do të përballohet me sukses …”

Në përfundim të fjalës së tij gjeneral brigade Kollçaku, i uroi të gjithë të pranishmëve gëzuar Festat e Fundvitit.

Dekorimi i Batalionit të Dytë të Këmbësorisë së Forcës Tokësore, u bë me motivacionin “Për trimëri e vendosmëri të lartë, gjatë përmbushjes së misionit përmes vështirësive të mëdha”.

Loading...