Terminali i ri i pasagjerëve në portin e Vlorës pritet të përfundojë në muajin dhjetor të këtij viti.
Drejtori i Portit të Vlorës, Admir Malaj tha për ATSH-në se “punimet po ecin me ritme të shpejta dhe brenda muajit dhjetor do të jetë në dispozicion të udhëtarëve”.
“Me një sipërfaqe dhe kapacitet 6-fish më të madh se terminali aktual, ai do të sjellë në Portin e Vlorës një standard të lartë shërbimi tek udhëtarët”, tha Malaj.
Malaj bëri të ditur se në terminalin e ri do të ketë shtim të shërbimeve, që do të bëjnë të mundur edhe përballimin e fluksit gjatë sezonit të verës.
“Ky terminal po ndërtohet me një fond prej 250 milionë lekësh. Në krahasim me terminalin e vjetër që kishte një sipërfaqe prej 300 m2, terminali i ri do të ketë 1200 m2 në katin e parë dhe 1000 m2 në katin e dytë”, tha ai.
Projekti i ri për zgjerimin e terminalit të pasagjerëve në Portin Detar të Vlorës konsiston në rritjen e cilësisë së shërbimit; në krijimin e një projekti bashkëkohor për shpejtësi në veprime dhe kontrolle; krijimin e një terminali me kapacitet të plotë për çdo periudhë lëvizjesh.
Objekti shtesë në portin ekzistues është parashikuar dy kate me lartësi maksimale prej 7.5 m. Në katin përdhes, në të cilin do të pozicionohet lëvizja e pasagjerëve, do të ketë kryesisht ambiente ndihmëse për udhëtarë. /atsh/