Ish-kryeministri Sali Berisha nga Fieri, ku po festohet 31-vjetori i krijimit të degës së PD-së, është shprehur se Lulzim Basha është farë e keqe në PD.
“Dega e PD Fier që nga themelimi i saj deri sot ishte dhe mbetet njëra nga degët më kryesore të një rëndësie të jashtëzakonshme për PD dhe fatet e saj. Unë mund t’u them juve se në rast se degët e tjera, apo qendra e PD do të kishte funksionuar siç keni funksionuar ju do të kishte dëshmuar vendosmërinë dhe guximin tuaj, por edhe standardet tuaja morale.
Me standardet tuaja morale, PD do të ishte prej kohësh në pushtet dhe do të kishte shënuar arritje të tjera në transformimin e Shqipërisë.
Drejtimi i kësaj partie dëshmoi dobësi dhe mjaft probleme të tjera. Njeriu që demokratët i besuan drejtimin solli forcën tonë politike nga humbja në humbje.
Ai dështoi në çdo nismë që ndërmori në 8 vite. Ai nuk u bë kurrë lider i besueshëm dhe jo se ne të gjithë nuk punuam që të ishte një lider i besueshëm për demokratët shqiptarë, por e thotë populli me mençuri të jashtëzakonshme: fara e keqe e tillë mbetet! Farë e keqe e moralit njerëzor”, tha Berisha.