Berisha zbulon planin: ‘Një Shqipëri e tërë do ngrihet në protesta, do përdorim gjithë fuqinë’

Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se Komisioni i Rithemelimit të PD-së do të hartojë një plan për protesta në mbarë vendin me qëllim rrëzimin e “narkoshtetit”.
Në një deklaratë për media pasi dështoi të merrte me forcë selinë blu, Berisha tha se protesta e thirrur prej tij “ishte tërësisht paqësore”. Ai akuzoi Lulzim Bashën për dhunën e ushtruar ndaj mbështetësve të tij.

“Ju garantoj se Shqipëria e tërë, me një program të caktuar do të jetë në protestë, protestë dhe vetëm protestë”, tha ndër të tjera Berisha.

Pjesë nga deklarata e Berishës:

E vërteta është se protesta ishte tërësisht paqësore. Kjo protestë kishte detyrë të hapte duart e blinduara dhe të mbyllra nga Edi Rama me pengun e tij Lulzim Basha. Protesta dyert i hapi, nderim të madh! Nderim të madh të gjithë atyre protestuesve të cilët me guxim dhe vendosmëri e gjakftohtësi çanë blindet e Edi Ramës dhe peng Bashës, pa gërvishtur qoftë edhe një person të vetëm. Por natyrisht sasitë e mëdha të gazit që u përdorën, të cilat tejkalonin çdo lloj limiti, ka patur ndër të tjerë kolegë tuaj, fotografë të shquar si Feliks Bilani, që nga sasitë e gazit, pothuajse po humbisnin ndjenjat dhe më shumë.
Shumë prej jush pyesin kur do të rikthehemi? Komisioni i Rithemelimit do t’u njoftojë. De fakto sot Lulzim Basha zëvendësoi Çuçin e familjes, u bë si të thuash ministri i Brendshëm i Edi Ramës, me qëndrimin ndaj demokratëve. Ne i qëndrojmë plotësisht dhe me vendosmëri karakterit paqësor të protestës sonë. Atyre që sot përdorën hunjtë kundër protestuesve paqësorë, narkobanditëve me uniformë që përdorën dhunën, u them vetëm kaq: keni kryer një krim të shëmtuar, sepse kjo opozitë nuk mund të mposhtet dhe nuk mposhtet. Është e vendosur pavarësisht nga mjetet që do të përdorni, të përdorë të gjithë fuqinë e saj për çmontimin e narkoshtetit. Ju garantoj se Shqipëria e tërë, me një program të caktuar do të jetë në protestë, protestë dhe vetëm protestë.

Loading...