Reagon Artan Fuga.
“Na duhen shumë herë më tepër sesa 300 të diplomuar për gazetarë në vit sic i quani Ju zoti Kryeministër!
Sipas medias, zoti kryeministër, ndërkohë që i bëheshin pyetje për masat e qeverisë për të përballuar revoltat studentore në Tiranë, ka deklaruar se çfarë na duhen 300 të diplomuar në gazetari në vit!
Më shumë sesa vetë masat e anoncuara që de facto abrogojnë ligjin për arsimin e lartë, dëshmojnë se ai është një ligj për ibret, pretendojnë që përtej ligjit, universitetet tani e tutje do të komandohen me VKM, pra me urdhëra administrativë!!!, – pra më shumë se ato masa, – shte shprehja që Shqipërisë nuk i duhen 300 gazetarë të diplomuar në vit që më shqetësoi.
Dhe ja përse:
Sepse e njejta gjë mund të thuhet edhe se nuk i duhen 200 filozofë në vit, 300 sociologë në vit, 100 përkthyes italishteje në vit, 200 historianë, gjeografë, gjuhëtarë, matematicienë, etj., në vit.
Me një fjalë dalim te ideja se rinia shqiptare duhet të arsimohet në kolegje profesionale dyvjeçare, sepse Shqipëria nuk ka nevojë për rini të asimuar në nivel universitar!
Atëhere njera nga të dyja: Përse i ulim tarifat ndërkohë kur pranohet se diplomat që merren në universitete nuk vlejnë meqë Shqipëria nuk ka nevojë për kaq të diplomuar në ato fusha ?
Kjo është kontradiktore në vetvete. Edhe ulim shpenzimet për diplomim, edhe thuhet se diplomimi në vetvete është i kotë!
Kësaj i thonë ta çosh rininë drejt një rruge pa dalje me çmim më të lirë, të ulësh çmimin e asgjësë!
Specialistët e grupeve të punës si duket nuk e kanë informuar zotin kryeministër se kur është fjala për të diplomuarit që i quan për gazetari, të paktën një e treta a më shumë e tyre, ata që diplomohen në Universitetin e Tiranës, nëse i vazhdojnë studimet e plota deri në nivel masteri,nuk diplomohen thjesht në gazetari, por në shkenca komunikimit masiv dhe të informimit.
Tani të vijmë te çështja konkrete : Duket sikur është e drejtë: E cfarë na duhen 300 të diplomuar në vit në gazetari?
Shikoni se çfarë ka pas kësaj.
Unë them me përgjegjësi të plotë sikurse jam munduar t’a shpjegoj përgjatë këtyre dyjavëve se nëse shoqëria nuk evoluon drejt profesioneve të kohës si kudo në botë, universitetet dhe formimi universitar kalbet dhe degjeneron dhe nuk ka sesi zhvillohet.
E para, shihni mediat shqiptare zoti Kryeministër! Ato që ju i quani të kazanit! Agjenda e tyre është lajmi nga dy fusha, e para nga politika dhe qeveria nga njera anë dhe nga bota e krimit nga ana tjetër. Shkenca, problemet sociale, letërsia, aktualiteti ndërkombëtar, etj., janë përjashtuar që andej. Në këto kushte sigurisht, edhe për faj të organizmave të licencimimit të mediave, ka një rrudhje tërësore të personelit të gazetarëve të mediave dhe pikërisht të rrudhjes të fronteve të punës. Sot atë gazetari që bëhet mund ta realizojnë edhe një grusht gazetarësh mjafton të qendrojnë me mikrofon në dorë përpara portës të Kuvendit!
Ne kemi modelin më të prapambetur në Evropë të mediave ku sundon media gjeneraliste e aktualitetit kombëtar të përditshëm politik. Ndërkohë kur bota ka shkuar te modeli i mediave të specializuara ku përthithet edhe numri më i madh i të punësuarve në gazetari.
E dyta, shihni mediat e rretheve dhe do të shikoni që ato në shumicën dërmuese të rasteve janë kthyer sikur ishin dikur altoparlantet e qytetit Studenti. Pa një politikë që lidhet me mbulimin e hapësirës territoriale të vendit me media lokale, si të shtypit ashtu edhe audiovizive, sigurisht që për gazetarë të diplomuar nuk do të ketë vende pune. Por, kjo kërkon që sistemi i informacionit të decentralizohet me politika të tjera financimi që i janë bërë prezent nga studjuesit prej vitesh komisionit të mediave në Kuvend, etj.
E treta, dihet se sot në vendet e përparuara të botës në formimin e rinisë shkollore ka zënë vend një lëndë shumë e rëndësishme shkollore formuese që quhet media litteracy. Pra, edukimi shkollor në fushën e komunikimit dhe medias. Ideja është që rinia në këtë shoqëri informimi dhe komunikimi të mësojë si të orientohet në pyllin e medias dhe të dijë të informohet dhe të komunikojë. Kush më mirë se të diplomuarit për komunikim dhe informim masiv, ata që quhen të diplomuar për gazetari, do të përbënin kandiDatët për të qenë mësuesit e kësaj lënde në qindra shkolla të vendit qysh nga klasa e pestë e deri në maturë? Jane qindra e qindra vende pune që nuk duhet të hapen thjesht sepse duhet të punësohen kot njerëz me diploma, por sepse rinia shkollore shqiptare ka nevojë të formohet si ajo e gjithë botës në këtë fushë.
E katërta, duhet ditur që sot në botë në cdo shkollë fillore, 9 – vjecare ose gjimnaz, apo në universitete, apo të ekuivalentuara me to, nuk bëhet pa dijet që u transmetohen nxënësve dhe studentëve nga ëeb-i. Pra, edhe vetë mjetet didaktike janë gjithnjë e më pak ato në letër dhe gjithnjë e më shumë didaktika dixhitale e bazuar në informacionin që qarkullon në ëeb.
Prandaj sot sistemi i arsimimit është i mbushur me një rrjet me qindra e qindra qendra dokumentacioni dhe informacioni në ëeb. Kush më mirë se studentët e diplomuar në gazetari dhe në shkenca informimi dhe komunikimi masiv do të mund t’a bënte më mirë këtë punë?
Ja pra edhe qindra e qindra vende të tjera pune që hapen dhe ne do të kishim nevojë jo për 300 të diplomuar në vit por më shumë më tepër.
E pesta, kur thuhet se jemi në shoqëri informimi dhe komunikimi kjo nënkupton që të kemi një qytetar të mirëinformuar. Dhe ky mirëinformim në radhë të parë lidhet me atë që institucionet e vendit, agjencitë e rëndësishme, sikurse janë dikasteret, pra mininstritë, dhjetra bashkitë e qindra komunat, korporatat publike, institucionet publike sikurse janë shkollat, spitalet, ushtria, organet e rendit, etj., të kenë aradhet e tyre të personelit që komunikon me publikun dhe informon qytetarin. Nuk është fjala për të punësuar stafe specialistësh komunikimi për të bërë marrëdhëniet publike për kryetarët e bashkisë, sikurse e kanë kuptuar këtë kjo sërë nëpunësish që i paguan ata nga taksat tona, por për të informuar qytetarët për aktivitetin e tyre dhe për të bashkëqeverisur. Mirëpo edhe këtu institucionet publike i kanë suprimuar në një shkallë të madhe këto vende pune sepse qytetari për to është thjesht një nënshtetas dhe kaq, një njeri i ndërvarur dhe kaq.
E gjashta, flitet shumë për republikën digjitale, por pothuajse nuk bëhet asgjë. Mirëpo sot në botën e përparuar një pjesë gjithmonë e më e madhe shërbimesh për qytetarin bëhet në ëeb, pra online. Nuk është fjala vetëm për bankat dhe agjencitë e tjera private, po se po, por edhe për agjencitë publike. Ja edhe dhjetra e qindra vende të tjera pune që hapen për të diplomuarit për komunikim dhe informim, nëse ne vërtet duam të demokratizojmë shërbimet publike për qytetarin. Dokumenta që shërbehen në linjë, dëgjesa publike në linjë, ankesa qytetare në linjë, bashkëbisedime me të zgjedhurit në linjë.
E shtata, që kërkon me qindra të diplomuar janë shërbimet e marketingut në tregun privat sidomos në hapësirat e mëdha tregtare. Sot në botën e përparuar shërbimet e klientit pas blerjes, në linjë ose offline bëhen nga të diplomuar në komunikim të integruar, pra te ata që quhen me përçmim si të diplomuar për gazetarë. Sot nuk ka shitës, por specialista të shitjes që kërkojnë formim të lartë madje të kryqëzuar.
Vërtet kjo varet nga bota e privatit, por këtu strategjitë politike të shtetit luajnë rol të madh. Cfarë modeli do të ndjeki tregu shqiptar, atë të tregtisë të kioskave, apo të hapësirave tregtare moderne? Nëse do të mbetemi te kioskat e shekullit të 18 të atëhere nuk duhen të diplomuar për komunikim të integruar, as për marketing. Por, nëse ne mendojmë për një treg digjital, modern, bashkëkohor, ku fluksi financiar qarkullon në Internet, atëhere ne do të kemi nevojë për më shumë të diplomuar në komunikim, marketing dhe në informim.
Ja pra ku është problemi. Nuk është te dija universitare, por te fakti se kësaj dijeje universitare nuk i jepet vendi që meritton në një shoqëri që ka mbetur shumë, po shumë, po shumë, mbrapa me kohën!
Kurse poqese ecim me kohën unë bëj llogari se na duhen shumë më tepër në vit sesa 300 të diplomuar që i quani për gazetari, por që ka vend të orientohen edhe më fort te profesionet e komunikimit dhe informimit. Mirëpo politikat që ndiqen prej 30 vjetësh i kanë bllokuar këto dinamika modernizimi.
Kur ju thoni se çfarë na duhen gazetarët, në këtë numur, kjo përkthehet se çfarë na duhen gjuhëtarët, gjeografët, matematicienët, psikologët, gjeografët, historianët?
Pra, cfarë na duhet shkolla universitare?
Unë ua tregoj sesi qendron në të vërtetë çështja.
Vetëm në këto fusha si edhe në fusha të ngjashme që sot personeli në administratën publike merret kuturu dhe jo mbi bazë diplomash specifike, kam llogaritur se duhen rreth 5.000 kuadro të diplomuar mirë dhe jo si sot. Pra, duhet shtuar e rritur cilësia e diplomimit, por jo zvogluar numri i të diplomuarve.
Nëse Shqipëria do të përthithte investime të huaja dhe nuk do të izolohej në këtë fushë, do të hapej me politika ekspansioni ekonomik në Ballkan, nëse do t’i kishte këllqet, atëhere është e qartë se ky numur së paku do të dyfishohej.
Por, ne nuk kemi eksporte veç atyre që kanë të bëjnë me eksportimin e krahut të punës që të sjellin burime financimi për të punësuar. Nëse do të ishte ndryshe llogaritet që na duhen sot sëpaku 7 mijë të diplomuar në shkenca informimi dhe komunikimi masiv. Poqese do të kishim një politikë tjetër dhe një demokraci të vërtetë. Poqese Shqipëria nuk do të ishte sot një vend ku veç informim dhe komunikim nuk ka. Pöqese nuk do të ishte një vend ku qytetari nuk di dhe nuk i mundësohet ta përdori informacionin dixhital.
Në një shoqëri të kioskave sigurisht nuk ka vend për të diplomuar me diploma universitare, as për matematicienë, as për fizikantë, as për sociologë, as për gjeografë, as për historianë.
Ka nevojë vetëm për barkederra që hanë dhe barktharë që pijnë!
Po nuk është kjo Shqipëria që na frymëzon si intelektualë.
Dhe nëse për cdo vend të mundshëm pune do të kishim nja katër kandidatura që do t’a mëtonin atë, një nivel shumë i kënaqshëm europian do të ishte, pra me një shkallë mundësie punësimi i të diplomuarve si fillim 25 përqind, vetëm në shkencat e komunikimit dhe informimit masiv do të na duheshin, po të ishim vend normal, jo batak, nja 30.000 të diplomuar, pra shumë më tepër sesa diplomohen sot, sigurisht jo në nivelin që duhet.
Ja pra, se nuk ka nevojë të ligështohet rinia studentore shqiptare duke i thënë se studjon kot në universitete, diplomohesh kot, por ka nevojë që të drejtohet rinia shqiptare drejt profesioneve që kërkojnë formim në dije universitare shumë cilësore, jo si sot, duke i rënë me shkop të thantë cdo tentacioni neomaltusian në politikat e formimit universitar të rinisë shqiptare.
Përndryshe, e përsëris, cfarë kuptimi ka t’i thuash rinisë studentore se ulen tarfifat e studimeve, por studimet që bëni janë krejt të padobishme, pra kot?”