Lindita Theodhori këngëtarja shqiptare “Artiste e Merituar”.
Ajo ishte “baby sexy” e viteve ’70 në Shqipërinë komuniste. Askush nuk guxonte ta thërriste hapur kështu, por parada e saj rrugëve të Tiranës kur ishte studente, ende mbahet mend, sidomos nga meshkujt. Burri i saj, atëherë student i inxhinjerisë së ndërtimit, ka qenë njëri prej djemve që e “gjuanin” këngëtaren e re sensuale të asaj kohe dhe e përshkruan gruan e tij si një nga femrat më të dëshiruara nga djemtë. Format e saj dhe veshjet ekstravagante për kohën, e bënin kaq të preferuar sipas tij. Këngëtarja, e rikthyer në Tiranë përkohësisht, pas shumë vitesh emigrimi, rrëfen për herë të parë jetën e saj të re në Londër, aventurën e gjatë dhe të vështirë të emigrimit, por flet edhe për suksesin e të shkuarës jo vetëm si këngëtare, por edhe si femër, tregon historitë e këngëve dhe recitalit që iu ndalua dhe deri tek rikthimi në Shqipëri, që sikur të mos ishte realizuar tani sipas saj, do ta kishte çuar në depresion.
Kujdesi për të ruajtur linjat gjatë gjithë këtyre viteve të vështira emigracioni, e ka ndihmuar jo pak për t’u dukur elegante, pasi megjithëse është shkëputur nga skena në moshën 39 vjeçare, asnjëherë nuk ka pushuar së ëndërruari rikthimin në të dhe dëshirën për t’u dukur gjithmonë bukur. Aq më tepër që veshja është hobi i saj, siç shprehet vetë. “Kur isha në Lice, mbaja një pallto të gjatë deri në fund të këmbëve, që një herë ishte bërë edhe problem si ekstravagante, dhe një gati-minifund. Sigurisht që nuk kishte gjëra të rralla, por motra më qepte veshje, nganjëherë duke e gdhirë, që të nesërmen të dukesha ndryshe. Mbaja nga ato sandalet prej gome me tantellë që prodhonte Lushnja dhe flokët i kisha të gjata. Kujtoj që dukesha bukur”, – rrëfen jo pa nostalgji këngëtarja nga Fieri që ka studjuar në Tiranë për muzikë në liceun artistik dhe për aktore në Akademinë e Arteve, por që ka jetuar 20 vjet në qytetin e Korçës, duke ndjekur atje burrin e saj korçar. Megjithatë Lindita para pasqyrës nuk është e fiskuar pas makijazhit, por kryesisht pas veshjeve, siç tregon duke shtuar se edhe tani preferon të bëjë pak grim, por nuk i lë asgjë mangut vetes kur vjen fjala për rroba. Në festivalin e 11-të mbante veshur një maksi-fustan vetëm me një krah dhe shumë klas, ashtu siç kujton se ishin pothuajse të gjitha veshjet e festivalit, të cilat ishin përgatitur nga organizatorët e festivalit. Tani preferon të jetë “casual-chic” dhe të ketë një garderobë jo domosdoshmërisht të mbushur plot, por të mirë.
/Laberianews/