‘Floriri nuk digjet’. Përtej dhimbjes së humbjes së më të dashurve, familjarët e viktimave të 23 nëntorit 2021 në Struma të Bullgarisë, ku 45 qytetarë nga Maqedonia e Veriut vdiqën nga aksidenti dhe zjarri në autobusin “Besa Trans”, kanë kërkuar një hetim paralele nga Prokuroria e Pernikut në Bullgari.
Familjarët pretendojnë se ata nuk kanë marrë bizhuteritë, paratë dhe sende të tjera me vlerë që u përkisnin viktimave. Autoritetet bullgare i kthyen pas të afërmit e tyre në Maqedoni të Veriut.
“Floriri nuk digjet, autoritetet tona duhet të tregojnë nëse kanë flori, sende me vlerë ose para”, u shpreh për median bullgare “BNT”, Kjamuran Pajazitovski, nusja e të cilit mbante me vete bizhuteri me vlerë 7 mijë euro.
Për aksidentin tragjik të 23 nëntorit 2021, Prokuroria Bullgare tha se shkaqe janë gabimi njerëzor i shoferit dhe terreni i rrëshqitshëm. Megjithatë, specialistë të infrastrukturës rrugore pretendojnë se aksi rrugor në Struma është degraduar. Ka patur denoncime se kompania e transportit “Besa Trans” nuk ofronte siguri për shkak të neglizhimit të kolaudimeve të autobusëve.
Nga 52 persona në autobus, vdiqën 45 njerëz për shkak të flakëve që shpërthyen pasi përplasjes së autobusit me trafikndarësen dhe shkuljes së bordurës.