Cmimi për alkoolin në Shqipëri do të rritet, tani prodhohet më shumë se para krizës

2022 do të sjellë rritje të çmimeve për pijet alkoolike. Arsyeja e shtrenjtimit të çmimeve do të jenë shtimi i kostove nga çmimet e larta të lëndëve të para. Prodhuesit parashikojnë se rritja mesatare e çmimeve do të jetë deri në 10%. Edhe pijet e importit do të jenë më të shtrenjta. Importuesit më të mëdhenj pohojnë se prej disa muajsh po përballen me ndryshime të çmimeve në tregun e huaj.

Sektori i pijeve alkoolike në tërësi arriti të rikuperojë shumë shpejt prodhimin dhe sasinë e importit në vitin 2021, në raport me periudhën para krizës. Pas një 2020 që krijoi rënie në konsumin e pijeve alkoolike për shkak të mbylljes së bareve dhe restoranteve në periudhë karantine, në 2021, zgjerimi i kërkesës u ndikua nga shtimi i fluksit të turistëve dhe kthimi i emigrantëve në atdhe që munguan vitin pandemik, për shkak të kufizimit të lëvizjeve nga pandemia e Covid-19.

Por një pjesë e kërkesës në vitin 2021 u plotësua nga stoku i pashitur në 2020-n që krijoi periudha 3-mujore e karantinës. Stoku i pashitur në pandemi ka detyruar prodhuesit të ulin prodhimin në vitin 2021. Në muajt janar-nëntor 2020 janë prodhuar 1,3 mln litra pije alkoolike në vend nga 1 mln litra të prodhuara në 2021 (rënia 24%). Shqetësuese për prodhimin vendas mbetet edhe tregu informal, sidomos i produktit të rakisë që po dëmton sipërmarrësit e licencuar.

Prodhimi i pijeve alkoolike, më i lartë se para krizës

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (DPT) për 11-mujorin 2021, prodhimi vendas i pijeve alkoolike vendas ishte 19% më i ulët se në 2020-n. ndonëse kërkesa ishte në rritje, ajo u plotësua nga stoku i mbetur nga prodhimi i vitit 2020.

Faktorët kryesorë që ndikuan te rritja e kërkesës janë hapja e ekonomisë dhe fluksi i turistëve, sidomos të huajve. Drejtori i Përgjithshëm i kantinës së pijeve “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Denis Zhilla, pohon se më shumë shitje ka pasur në muajt e verës.

“Ecuria e 2021 ka qenë shumë pozitive për shitjen e pijeve alkoolike. Në krahasim me 2019-n, kërkesa është 10% më shumë. Fluksi i lartë i turistëve të huaj, por edhe emigrantëve, si dhe rritja e preferencës për pije alkoolike të prodhuara në Shqipëri ndikuan pozitivisht te kërkesa. Turistët e huaj zgjedhin të konsumojnë gjithnjë pijet tradicionale shqiptare.

Pija që parapëlqehet më tepër është konjaku shqiptar. Edhe kufizimet dhe rregullat që u zbatuan në vendet europiane, favorizuan moslargimin e shqiptarëve për pushime jashtë. Parashikojmë që edhe për 2022-shin, kërkesa të jetë 10% më shumë”.

Në 2020, pandemia krijoi stok të prodhimit

Në kohën e izolimit, njerëzit ndryshuan ndjeshëm zakonet e pijes, duke zhvendosur vendet e konsumit nga baret dhe restorantet në shtëpi. Për shumë njerëz, alkooli është pjesë e jetës sociale dhe kjo nuk u ndërpre as në karantinë. Pavarësisht mosndërprerjes të shitjes së alkoolit nga dyqanet e pakicës edhe në muajt e izolimit, efektet e krizës nuk u amortizuan.

Për muajt janar-nëntor 2021, prodhimi vendas i pijeve alkoolike është ulur 24%, në raport me 2020. Operatorët pohuan se prodhimi është në rënie, për shkak të stokut të lartë që u krijua në 2020. Një pjesë e kërkesës së tregut për këtë vit po plotësohet me mallrat e pashitura në 2020.

Denis Zhilla, nga kantina e pijeve “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, thotë se tashmë, tendenca e sjelljes konsumatore post-karantinë është që pijet alkoolike preferohen të konsumohen më tepër në bare dhe restorante sesa në shtëpi. Sipas tij, mbyllja e pub-eve të natës, por edhe orari i kufizuar i lëvizjeve nuk ka ndikuar te shitjet e kompanive.

Problematikat e sektorit

Kompanitë vendase prodhojnë më tepër konjak, i cili kryesisht eksportohet por edhe konsumohet nga konsumatorët shqiptarë. Ky produkt zë 62% të totalit të pijeve alkoolike të prodhuara në vend, ndjekur nga rakia dhe më pas ponçi, fërneti, vodka dhe likeri.

Prodhimi i rakisë në Shqipëri, që konsiderohet pija alkoolike tradicionale, mendohet të jetë shumë i madh, në kushtet kur një pjesë e konsiderueshme prodhohet nga familjarë apo në punishte të palicencuara. Pavarësisht se kërkesa për pije alkoolike është rritur, për drejtuesin e kompanisë “Aquila Group”, z. Edmond Ziso, mbetet shqetësues informaliteti i lartë i tregut, sidomos për prodhimin dhe tregtimin e kompanisë.

Sipas tij, informaliteti i lartë i tregut po dëmton financiarisht operatorët e licencuar që paguajnë akcizën për prodhimin. “Prej vitesh, në tregun shqiptar, vijon të mbetet i pazgjidhur problemi i informalitetit të tregut. Rakia shitet 90% në treg informal, ndërsa informaliteti në pijet e tjera alkoolike arrin në nivelet 60-70%. Kjo situatë po dëmton rëndë kompanitë e licencuara, pasi kemi shumë raste të zbuluara të falsifikimit të logos.

Pavarësisht se nga kompanitë prodhuese janë propozuar disa masa për zgjidhjen e situatës, nuk ka ende vullnet për miratim masash që do të ulnin informalitetin. Dukuria është e pranishme edhe në shtete të Europës, por te ne është në nivele kritike. Shqetësuese në tregtimin e pijeve alkoolike të palicencuara për shkak të mungesës së kontrollit është edhe shëndeti i konsumatorit, duke shkaktuar probleme të rënda shëndetësore”.

Ecuria e eksporteve

Eksporti i pijeve alkoolike në 2021, sipas administratorit të Aquila Group nuk ka arritur ende nivelet e parakrizës, për shkak të kufizimeve që po zbatojnë shumë shtete të Europës, që nga moslejimi i frekuentimeve të zonave të gjelbra për të pavaksinuarit deri te detyrimi për përsëritjen çdo javë të testit tampon.

“Aquila Liquori”, që prej vitit 2016, si rezultat i investimeve moderne të vazhdueshme që nga rinovimi i teknologjisë së prodhimit të lëndëve të para të kontraktuara nga ndërmarrje të njohura italiane dhe bashkëpunimit me partnerët francez “Tradexal”, nisi eksportin e whisky-t dhe brandyt drejt vendeve të BE, Francë, Itali, Sllovaki, Angli, Spanjë dhe Poloni.

Marrëveshje afatgjata me këto vende kanë qenë synimi i kompanisë për të mbajtur prodhimin në kapacitet të plotë. Nevoja për të gjetur tregje të mëdha ka bërë që “Aquila Liquori” të eksportojë në Kinë dhe Meksikë.

Situata paraqitet ndryshe për prodhuesin e pijeve “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Denis Zhilla pohon se eksportet për 2021 janë 30% më shumë se vitin e kaluar. Sipas tij, pritshmëritë janë për rritje të nivelit të eksporteve për 2022, duke ndryshuar edhe çmimet e shitjes. Kompania eksporton në Austri, Zvicër, Slloveni, Kosovë, SHBA, Australi.

Rritja e importeve

Në 3 vitet e fundit, importet e pijeve alkoolike kanë shënuar rritje. Referuar të dhënave të DPT-së, importet e 11-mujorit 2021 janë 15% më tepër në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s. Importet e këtij viti në krahasim me 2020 janë 39% më shumë.

Përfaqësuesit e Grupit AGNA thonë se zgjerimi i kërkesës këtë vit erdhi nga shtimi i numrit të turistëve dhe ndryshimit të sjelljes konsumatore pas hapjes së ekonomisë në 2020-n, ku shumë individë zgjodhën të konsumojnë më tepër pijet alkoolike në bare dhe restorante, sesa në shtëpi.

Kujtojmë që në 2020, distributorët e pijeve u shprehën se rritën importet nga frika e një mbyllje të dytë të ekonomisë. Në 2020-n, konsumi për pijet e importit shënoi rënie rreth 15% nga mbyllja e dasmave, klubeve të natës, etj.

Kompania importuese e pijeve alkoolike “Eurolab Internacional Grup” pohon se kërkesa është rritur çdo vit. “Viti 2021, krahasuar me vitin 2020, ka shënuar rritje me 59% dhe krahasuar me vitin 2019 me 23%. Faktorët që kanë ndikuar në këtë rritje janë hapja e HoReCa-s (Hotele-Restorante-Kafene), dëshira për të konsumuar në ambiente jashtë shtëpisë si dhe zgjedhja konsumatore për të konsumuar produkte cilësore dhe premium”.

Aktualisht “Eurolab” ushtron aktivitetin për menaxhimin e kategorive të produkteve të konsumit në territorin e Shqipërisë, Maqedonisë të Veriut, Kosovës dhe Malit të Zi. Prania e kompanisë është zgjeruar kohët e fundit në Serbi, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Slloveni.

Shtrenjtohen kostot e prodhimit, çmimet e pijeve alkoolike, drejt rritjes

Rritja e kërkesës për produkte të ndryshme, pas rimëkëmbjes post-karantinë solli rritje të kostove edhe për prodhuesit e pijeve alkoolike. Shtrenjtimi i lëndës së parë dhe tarifave të transportit do të ndikojë te rritja e çmimeve të alkoolit. Rritja e çmimeve paralajmërohet nga prodhuesit vendas dhe kompanitë e importit.

Përfaqësuesi i kantinës “Skënderbeu” nënvizon se për 2022 do të ndryshojnë të gjitha çmimet e pijeve alkoolike, pasi lëndët e para si qelqi, tapa, po blihen më shtrenjtë se një vit më parë.

“Në 2022 do të ketë rritje të çmimeve, si për tregun e brendshëm, por edhe atë të eksportit, për shkak të shtrenjtimit të kostove. Çmimi i qelqit është rritur 10% më shumë se në 2020-n, materialet e kartonit dhe letrës janë shtrenjtuar 15%, tapa dhe plastika 10%. Për disa produkte finale rritja do të jetë më e lartë.

Mesatarisht rritja e çmimeve do të jetë 8%. Ecuria e ndryshimit të çmimeve në treg pritet të qartësohet në 6-mujorin e parë të vitit 2022”, pohon z. Zhilla. Rritja e kostove të produkteve dhe të transportit, do të ketë ndikim dhe tek çmimi i konsumatorit final edhe te pijet e importit, sipas kompanive AGNA dhe Eurolab.

Sa alkool konsumohet në Shqipëri

Oferta në treg për pije alkoolike mbulohet si nga prodhimi vendas ashtu edhe nga importi. Tregu vendas i pijeve alkoolike në 2021 zuri rreth 46% të tregut, kurse pjesa tjetër është nga importet. Në 2020-n, shqiptarët kanë konsumuar 2,3 mln litra alkool (prodhim vendas dhe importe).

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, për 2020, pija më e prodhuar ishte konjaku në sasinë e 240,800 litrave. Raki është prodhuar 203,000 litra kurse 192,000 litra janë ponç, fërnet, liker dhe vodka. Kompania Eurolab Internacional Grup thekson se pijet alkoolike të importit më të preferuara nga shqiptarët janë brandy, liker/biter dhe vodka.

Konsumi i pijeve alkoolike në Shqipëri për 2021, sipas të dhënave të Worlddata, është në sasinë e 6,8 litrave/vit, duke na renditur ndër shtetet e fundit në rajon dhe Europë për sasinë e litrave të pijeve alkoolike të konsumuara për individ. Sasinë më të ulët të konsumit të pijeve alkoolike e shënon Maqedonia e Veriut, me 6,4 litra/vit për person. Konsumin më të lartë e ka Gjermania me 12,8 l/vit për person.

Pozicionohet për konsum në rënie Spanja 12,6 litra/vit; Bullgaria 12,4 litra/vit; Rumania 12,3 litra/vit; Franca 12,2 litra/vit; Mali i Zi 12,2 litra/vit; Sllovenia 12 litra/vit; Hungaria 11 litra/vit; Greqia 10 litra/vit; Serbia 8,8 litra/vit, Italia 8 litra/vit dhe Bosnjë-Hercegovina 7,8 litra/vit për individ.

Si ndikoi pandemia te konsumi në botë?

Çdo shtetas britanik i moshës 15 vjeç e lart konsumoi 9,3 litra alkool nga 1 prilli 2020 deri më 31 mars 2021. Sipas të dhënave të shitjes së alkoolit të analizuara nga Instituti Kanadez i Universitetit të Viktorias për Kërkimin e Përdorimit të Substancave, konsumi i alkoolit arriti shkallën më të lartë të shënuar në 20 vjet. Norma aktuale e konsumit për frymë është më e larta e regjistruar.

Të dhënat sfidojnë teoritë mbizotëruese për konsumimin e alkoolit, sipas drejtorit të institutit, Tim Naimi. “Kjo na tregon se nivelet më të larta të konsumit në muajt e parë të COVID nuk ishin rezultat i grumbullimit të rezervave, por i një rritje të përgjithshme të pijeve të qëndrueshme gjatë vitit“ tha ai. Nga të dhënat e Institutit Kanadez të Universitetit të Viktorias, në muajt e parë të karantinës, rezultoi se individët konsumonin më pak alkool në bare dhe restorante.

Konsumi në bare ra 60% dhe 46% në restorante. Rritjen e konsumit të alkoolit e kompensuan përmes blerjeve në dyqanet e pakicës, që përbënin 55% të shitjeve. Në periudhën e karantinës që u zbatua në mbarë botën, sipas të dhënave të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), rezulton se në përgjithësi, shumica e njerëzve nuk ndryshuan sasinë që pinin, por, në mesin e atyre që pinin, një pjesë më e madhe e njerëzve pinin më shumë.

Duke parë të dhënat e arkëtimeve të taksave, shitjet e alkoolit u rritën me 3 deri 5% në Gjermani, Angli dhe SHBA në vitin 2020 krahasuar me 2019. Shitjet e alkoolit në bare dhe restorante ranë, duke prekur rëndë këtë sektor, ndërsa jashtë shitjet online dhe të dyqaneve me pakicë, u rritën ndjeshëm.

Në SHBA, shitjet online u rritën deri në 234%. Disa nga problemet që lidhen me konsumimin e dëmshëm të alkoolit u intensifikuan nga kriza e Covid-19, edhe pse ndikimet afatgjata të infeksionit në konsumimin e alkoolit janë të pasigurta.

Sipas OECD, në periudhën e izolimit gratë, prindërit e fëmijëve të vegjël, njerëzit me të ardhura më të larta dhe ata me ankth dhe simptoma depresioni raportuan rritjen më të lartë të konsumit të alkoolit, në shtetet, si: Australi, Belgjikë, Francë, Angli dhe SHBA. Thirrjet e urgjencës për dhunën në familje, ku konsumimi i tepërt i alkoolit është faktor rreziku, u rritën me 60% në vendet e BE-së.

Ekziston gjithashtu një rrezik që Covid-19 të shkaktojë rritje të konsumit të pijeve alkoolike në afat të mesëm, duke pasur parasysh se konsumimi i tepërt i alkoolit është i zakonshëm pas ngjarjeve traumatike, si përgjigje ndaj niveleve të larta të stresit.

Konsumimi i tepërt i alkoolit shkakton një dëm të rëndë për njerëzit, ekonominë dhe shoqërinë. Gjatë 30 viteve të ardhshme dhe mesatarisht në vendet e OECD-së, sëmundjet dhe dëmtimet e shkaktuara nga pirja e më shumë se 1 pije në ditë për gratë dhe 1,5 pije në ditë për burrat (që korrespondojnë me pragjet më të ulëta të rrezikut nga përdorimi i alkoolit) do të rritet.

Marrë nga: Monitor

Loading...