Prof. Dr. Ago Nezha
Kryetar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës, artisti i merituar profesor Limos Dizdari, organizoi një forum intelektualësh me temë “Kënga polifonike dhe kontributi i popullit shqiptar në zhvillimin e këtij arti origjinal”. Autoritete dhe ekspert të fushës të muzikologjisë shqiptare kumtuan mbi standardet shkencore të sendërtimit të terminologjisë të këngës labe, që ndonjë studiues për përfitime personale e emërton iso polifoni, ndërsa personalitete të zëshme të fushës së etnomuzikologjisë dhe etnoorganologjisë, anëtar të kësaj akademie, e quajnë polifoni popullore shqiptare. Qëndrimi në unison i shumë kumtuesve si Aleksandër Peçi, Mjeshtër i Madh,profesorët e nderuar Spiro Shituni, Bardhosh Gaçe, Pirro Miso, Pëllumb Xhufi, Eno Koço, Emil Lafe,Kosta Loli, Olta Sina dhe shumë të tjerë, ishin në një emërues të përbashkët , që trashëgimia e këngës popullore ka vetëm një emër, që quhet polifoni. Tendenca private, që shfrytëzojnë pamoralisht autoritetin institucional për ta tjetërsuar terminologjinë e polifonisë, kanë krijuar një kundërvënie të trashëgimisë sonë popullore, që vjen nga lashtësia e shekujve.
Polifonia, është një nga trashëgimitë më të vyera, jo vetëm të trevës së Labërisë por mbarë Shqipërisë. Në këndvështrimin e shoqatës kulturore Atdhetare “Labëria” unë dua të shpreh shkurt disa konsiderata të përgjithshme, sepse nuk pretendoj të bëj skanerin e gjenezës së polifonisë, pasi nuk jam ekspert i fushës, atë e kanë bërë dhe po e bëjnë institucionalisht dhe mediatikisht autoritete të specializuara të këtij zhanri. Unë kam ndjekur me interesim diversionin dhe debatin që ka lindur mes dy rrymave mbi emërtimin e këngës labe, për ta quajtur polifoni apo iso-polifoni. Ky debat polemizues mediatik i stërzgjatur ,më ka ngacmuar dhe interesuar për ta ndjekur në vazhdimësi, për të sqaruar në radhë të parë veten dhe pastaj të tjerët, që janë diletant të nivelit tim në këtë fushë. Kam lexuar librin “Emocione dhe meditime letrare” dhe disa shkrime të kritikut të artit Fitim Çaushi, një shkrim brilant studimor: “Vështrim filologjik në fushën albanologjike të etnomuzikologjisë dhe etnoorganologjisë shqiptare të Prof. Dr. Pirro Miso, disa shkrime të profesor Bardhosh Gaçes, kam shkëmbyer mendime me mjeshtrin e poezisë popullore Lefter Çipa, dhe kam konstatuar: se të gjithë këto personalitete të kulturës popullore, janë një zëri, që kënga labe mban emrin e shenjtë “Polifoni”.
Labëria mbart shumë vlera historike, patriotike, atdhetare dhe kulturore, por polifonia është një gur xhevahiri në gjerdanin e artë të trashëgimisë së saj. Këtë pasuri të lashtë,që na e përcollën të parët tanë Kaonët, duhet ta mbrojmë nga çdo virus që kërkojnë ta fusin të infektoj dhe tjetërsoj për interesa komerciale, termin polifoni. Kushdoqofshin ata që duan ta pagëzojnë apo modifikojnë me epitete dhe emërtesa “OMGJ moderne” polifoninë, gabojnë rëndë se nuk do mund ta divorcojnë nga realiteti historik, këtë thesar unik të trevës së Labërisë. Unë polemikat mediatike të autorëve që mbrojnë polifoninë në poligonin e qitjes të disa akademikëve apo qukapikëve, që dalin me tezën e iso-polifonisë, i kam konsideruar si një kontribut i intelektual për të ruajtur identitetin e këtij thesari të artë, që duan ta shpërdorojnë individ të veçantë për qëllime të mbrapshta. Polifonia është gurra jonë popullore, që buron nga shekujt dhe vjen e kristaltë deri në ditët tona pa u ndotur në rrugëtimin e saj të gjatë. Në vitet e demokracisë, në emër të lirisë kanë dalë shumë teoricienë e rryma që marrin pozitën e liderit për tu bërë protagonistë duke shkelur mbi moralin kombëtar dhe shoqëror. Disa ksenofobë, duke shfrytëzuar pozitën shtetërore, janë vënë në shërbim të huajve, edhe pse me një kosto jo të vogël për identitetin kombëtar. Polifoninë siç dëshmon në veprat e studiuesve të kulturës popullore, se polli as Homeri e as Akili, ajo ka lindur si nevojë jetësore kulturore, në malet e Labërisë për të shoqëruar gëzimet , hidhërimet dhe ceremonitë familjare në shekuj. Labëria e ka njohur prijësin në këngë dhe në vaj, duke pasur një të parë që nis fjalën, një tjetër që e pason dhe aprovon dhe të tjerët që e miratojnë duke bërë iso. Por, me një matematikë të thjeshtë vulgare, ta quash iso-polifoni, do të thotë që ka nisur me iso dhe pastaj ka vazhduar me komponentët e tjerë, të marrësit dhe kthyesit. Kjo do të thotë, që të thërrasësh më parë mbiemrin dhe pastaj emrin. Jeta ju ka diktuar njerëzve marrëdhënie shoqërore, kulturore dhe familjare, sipas kushteve natyrore dhe ekonomike. Labëria si një vend pastoral, me terren të thyer gjeografik dhe orografik, ka jetuar në komunitet të kufizuar maleve sipas përkatësisë së pronës. Në këto kushte kënga ka lindur si nevojë meditimi dhe argëtimi në individ, që nuk rrethohej nga banorë të tjerë. Duke qenë i veçuar me bagëti, pa njerëz për rreth, siç është monofonia, ku mund të përmendim ligjërimin e Kallaratasit “ Çu këput një këmbë mali” etj, është dëshmi e origjinës së këngës labe. I ngjashëm është edhe rasti i këngës treshe të Dukatit, e vetmja në llojin e vet. Kjo këngë nuk ka iso, por në vetvete ajo është polifoni. Duke biseduar me studiuesin elitar Beniamin Kruta, ai fliste me shumë pasion për treshen e Dukatit, dhe e konsideronte atë një perlë në lëmin e polifonisë shqiptare. Jo rastësisht këto këngë janë nderuar me çmime në festivale kombëtare e ndërkombëtare. Edhe këtë këngë e kanë diktuar kushtet social-ekonomike dhe natyrore të Dukatit. Stanet ishin të veçuar sipas pronësisë së kullotave dhe në këto kushte është gjendur një formë argëtimi nëpërmjet këngës treshe, që numri i grupit plotësohej brenda anëtarëve të fisit që ishin të organizuar në komunitet. Polifonia Labe është një pasuri që është vlerësuar kombëtarisht duke filluar nga gjeniu i letrave shqipe, eruditi Fan Stiliano Noli, e deri te rilindësi i kohës tonë Akademiku Kosovar Rexhep Qosja. Noli i madh shkruante se shpërblimi më i madh kur të vdes është të më përcillni me një këngë prej labësh dhe labëreshash. Por ato gra që i rrinin te koka Nolit, të përlotura, nuk dinin gjë për këtë amanet. Ndërsa Akademiku Rexhep Qosja në Kuvendin e dytë të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”në Vlorë, i emocionuar nga vizita në trevat e Labërisë, ku u prit me këngë Labe, theksoi se : “ Me këngën labe të djeshme e të sotme, jetojnë shqiptarët e të gjitha trojeve shqiptare. Askund më bukur se me këngën labe, u binda vetë, nuk janë kënduar kosovarët dhe shqiptarët, kudo qofshin ata…Kënga e Labërishtes është shembulli më i ndritshëm i vetëdijes së pandarë, i vetëdijes gjithëkombëtare shqiptare. Ajo është kënga e fuqisë morale, shpirtërore të Labërisë, e cila tash një qind vjet është faktor kryesor kombëtar, që e lëviz historinë shqiptare të Labërisë, që është bërë thelbi shqiptar”. I citova gjatë këto dy ikona të kulturës shqiptare, që fjalët e tyre marrin vlera të veçanta sepse asnjëri prej tyre s’është lab, për të thënë, që Labëria ka mision dhe përgjegjësi të ruaj të pastër trashëgiminë e polifonisë, që rrezikohet nga rryma e korente antishqiptare. Polifoninë si një pasuri mbarëshqiptare, nuk duhet ta lejojmë ta nëpërkëmbë e tjetërsoj askush dhe kurrkush, që kërkon të ngrejë ngrehinën e lavdisë së tij, në shpinën e polifonisë dhe Labërisë. Roli dhe vlerësimi i Ministrisë së Kulturës, le shumë për të dëshiruar në adresë të polifonisë, për ta promovuar dhe ruajtur këtë pasuri të trashëguar në shekuj. Ministria e kulturës investon për miset botërore dhe jo për kulturën popullore.
Ajo që dua të theksoj në mbyllje të këtij shkrimi, është se institucionet përgjegjëse siç është Ministria e Kulturës, duhet të reflektoj institucionalisht për të mbrojtur dhe zhvilluar këtë pasuri kulturore unikale në llojin e vetë, siç është polifonia, nga Jugu në Veri, që të mos vdesë si rezultat i braktisjes që po ndodh në vitet e demokracisë.
*Autori është Kryetar i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” (Mjeshtër i Madh)