Vlorë/Nusja nxjerr ish-vjehrrin nga shtëpia e tij.Një banesë dy katëshe është bërë mollë sherri mes tyre

Një banesë dy katëshe në rrugën “Shtjefën Gjecovi” në Vlorë është bërë mollë sherri mes Ilir Musarajt dhe ish nuses së djalit të tij, Mariola Xhelilaj.

“Kam ndërtuar një shtëpi dy katëshe në vitin 2007 me kontributet e mia dhe të gruas sime. Kam një dokument vërtetim pronësie nga Hipoteka, që thotë se pronari i vetëm në këtë banesë është Ilir Musaraj!”, shpjegoi denoncuesi.

Ai shtoi se i biri u nda nga trungu familjar kur u martua me Mariola Xhelilajn, çka do të thotë që as kjo e fundit nuk ishte në të. Zoti Ilir e strehoi çiftin në shtëpinë e tij, duke qenë se jetonte vetëm. Por i biri u divorcua në vitin 2015 dhe Mariola e nxori ish-vjehrrin nga shtëpia.

“Kjo ndarje i jep të drejtën kësaj zonje që të mendojë se përfiton pasuri nga vjehrri, jo nga i shoqi. Ligji për bashkëpronësi thotë shumë mirë që prona ndahet në përpjesëtim midis çiftit dhe fëmijëve”, tha denoncuesi, i cili e gëzon shtëpinë me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.

Çështja shkoi në Gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë dhe gjykatësja Herila Çela pranoi kërkesë-padinë e Mariolës për bashkëpronësi në pronën e Ilir Musarajt. Ky i fundit e ktheu çështjen për rishqyrtim, por u përball me të njëjtin vendim, duke mos u bazuar në asnjë dokument.

“Që nga viti 2015 unë jam jashtë shtëpisë sime. Ajo e ka bllokuar, e mban me çelës, më provokon herë pas here në format më skandaloze”, u shpreh i shqetësuar denoncuesi, që iu drejtua emisionit “Stop”, si e vetmja shpresë për të zgjidhur problemin me ish-nusen.

Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë për të pyetur kancelaren se çfarë procedurash duhet të ndjekë qytetari, pasi gjyqtarja bie në kundërshtim me veten në vendimin që ka dhënë.

Herila Çela pranoi kërkesë-padinë e Mariola Xhelilaj pa asnjë lloj prove, kur në një paragraf të vendimit thuhet: “Gjykata çmon se kërkesë-padia është e pambështetur në ligj. Nga vërtetimi ose jo i fakteve që pretendojnë palët, varet dhe përfundimi i procesit gjyqësor. Kur paditësi ngre një padi, ai ka detyrimin që në përputhje me ligjin të provojë faktet, mbi të cilat bazon pretendimet e tij”.

Kancelarja u shpreh: “Lidhur me vendimet e gjykatës, jo vetëm kancelari, por asnjë nuk ka të drejtë t’i bëjë interpretimin, përveçse një gjykate më të lartë, siç është Gjykata e Apelit apo Gjykata e Lartë. Kështu që nuk mund të shprehem për një vendim gjykate për sa kohë është gjyqtari kompetent i përcaktuar me ligj”.

Ndaj dhe gazetarja sëbashku me denoncuesin iu drejtuan Gjykatës së Apelit për të bërë një ankimim. Kjo e fundit e ktheu çështjen për rishqyrtim dhe është ende në proces gjyqësor, pasi ish-nusja nuk mund të ketë pjesë në pronën e ish-vjehrrit, për më tepër që djali ka qenë i ndarë nga trungu familjar.

Moderatori i emisionit “Stop” shprehu dhembshuri për Mariola Xhelilaj, pasi ka nevojë për strehim sëbashku me fëmijën e tyre, por me bindje tha se ish-vjehrri nuk do ta kishte lënë në mes të rrugëve. Ndaj dhe nuk duhej ta kishte nxjerrë jashtë pronës së tij.

Por gazetarja e emisionit “Stop” komunikoi edhe me Mariola Xhelilajn, për të mësuar se përse kanë lindur pretendimet e saj për këtë pronë.

Ish-nusja – Jam martuar më 17 Shtator të 2007-ës. Kam gjetur atë shtëpinë atje. Një vit sa u bë kjo shtëpi, unë kam jetuar atje me burrin dhe me zotërinë, Ilirin. U divorcuam.

Gazetarja – U zgjidh martesa!

Ish-nusja – Kam një djalë 9 vjeç! Nga biznesi dhe puna ime…

Gazetarja – Parukiere ë?

Ish-nusja – U bë kjo shtëpia këtu. Po!

Gazetarja – Juve keni kontribuar për këtë shtëpi?

Ish-nusja – Po normalisht, lekët e mia këtu vinin.

Gazetarja – Si e verifikoni, që unë kam kontribuar për këtë shtëpi?

Ish-nusja – Shiko, unë jam në një proces gjyqësor. E kam fituar në Shkallë të Parë, ma kthyen mbrapsht…

Gazetarja – Si e verifikoni, që unë kam kontribuar për këtë?

Ish-nusja – O zonjë, unë kam…

Gazetarja – Keni dokumentacion?

Ish-nusja – Po nuk kam dokumente. Punoj në të zezë. Puna ime si punoj!

Gazetarja – Sa arrin shuma që ti ke kontribuar për këtë banesë?

Ish-nusja – Po juve keni ardhur tani që të gjeni shumën, a çfarë?

Gazetarja – Jo me zonjë, po ti kur thu që kontribuoj nxirr…ka prova.

Ish-nusja – O zemër dëgjo një sekondë! Kjo gjë…

Gazetarja – Depozitoji në gjykatë! Unë nuk jam…

Ish-nusja – Ka një gjykatë. Unë i kam provat. I kam dorëzuar në gjykatë.

Gazetarja – Unë e di edhe vendimin e gjykatës.

Ish-nusja – Po!

Gazetarja – Por, lexoj edhe këtë paragrafin këtu…

Ish-nusja – Po!

Gazetarja – “Nga sa më sipër, Gjykata çmon se kërkesë-padia është e papërmbajtur në ligj. Nga vërtetimi, ose jo i fakteve, që pretendojnë palët…

Ish-nusja – Kush e ka thënë këtë?

Gazetarja – Të lutem! Ta mbarojmë edhe shikoje! “…pretendojnë palët, varet edhe përfundimi i procesit gjyqësor, kur paditësi ngre një padi, ai ka detyrimin që në përputhje me ligjin të pranojë faktet, mbi të cilat bazon pretendimet e tij.” Po këtu thuhet që nuk ka asnjë dokumentacion. Në momentin që juve jeni martuar me zotërinë…

Ish-nusja – Po!

Gazetarja – Ish-bashkëshorti juaj është shkëputur nga trungu familjar dhe nuk ka asnjë provë. Tek certifikata e pronësisë njihet vetëm zoti Ilir për të gjithë këtë sipërfaqe.

Ish-nusja – Jo pra!

Gazetarja – Kush e ka këtë truall, që ju keni ndërtuar?

Ish-nusja – Asnjeri s’e ka këtë truall! Ai e ka shtëpinë aty. Unë nuk dua t’ia di fare! Ajo derë është e mbyllur, që kur ka ikur im shoq. Të rrijë moj ku të dojë!

Ndërkohë që Mariola Xhelilaj pretendon se truallin e banesës nuk ka njeri, Ilir Musaraj provon nëpërmjet certifikatës së pronësisë që është ai pronari. Ky i fundit pretendon se ish-nusja e ka nxjerrë nga shtëpia e tij, ndërsa ajo e mohon, duke thënë se ish-vjehrri ka jetuar gjithmonë në banesën e parë që ka patur, e cila ndodhet ngjitur me shtëpinë që ka hapur kaq shumë probleme. Tanimë i ngelet Gjykatës së Apelit të vendosë se pretendimet e kujt janë të sakta.

Loading...