Hyjnë në fuqi tarifat e reja të energjisë

Tarifat e reja të energjisë elektrike që janë miratuar dje nga Zyra e Rregullatorit për Energji, do të hyjnë në fuqi nga sot. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arsyetuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike. Këto tarifa do të aplikohen deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arsyetuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike. Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti ka thënë se subvencionimi i plotë i importit të energjisë me çmimet e larta të tregut aktualisht, është i papërballueshëm për buxhetin e shtetit.

“Gjatë muajve të dimrit na është dashur të importojmë rreth 40 për qind të energjisë elektrike që kemi konsumuar dhe me çmime të importit deri 7 herë më shtrenjtë se zakonisht. Në janar vetëm për një ditë kemi paguar 2.5 milionë euro për import. Kemi subvencionuar konsumin nga importi. Kemi mundësuar furnizim të pandërprerë që kriza të mos ndjehej. Muajt dhjetor e janar janë më kritikët. Janë të gjatë e të ftohtë që përcillen me shpenzime të festave të fundvitit e konsum më të lartë të energjisë elektrike. Prandaj jemi kujdesur që gjatë këtyre dy muajve të mos ketë asnjë barrë shtesë për qytetarët. Por një formë e tillë e subvencionimit është e papërballueshme dhe e paqëndrueshme për buxhetin e shtetit tonë. Gjatë këtij viti çmimet e importit nuk pritet të kthehen në shifrat e mëparshme. Duhet të importojmë energji dhe kemi hendek të kushtueshëm që duhet ta mbulojmë”.

Të martën, ZRRE-ja njoftoi për ngritje të çmimit të energjisë, ndërsa vendosi bllok-tarifë në 800kWh për muaj. Deri në këtë shpenzim, qytetarët do të paguajnë rrymën sipas çmimit të mëparshëm, ndërsa mbi 800kWh do të preken nga rritja e çmimit.

Qeveria për subvencionim të energjisë ka zotuar 100 milionë euro. Sipas Kurtit, kjo shumë ka mundësuar uljen e çmimit të tarifave, pas propozimit të parë, dhe zhvendosjen e bllokut tarifor nga 600kWh në 800kWh.
Kurti në mbledhje ka prezantuar edhe disa shembuj të shpenzimeve mesatare dhe ndryshimet nga faturat e vjetra.

Nëse një familje shpenzon 850kWh, me raport 60-40 të tarifës së lartë dhe të ulët, dallimi mes dy faturave do të jetë rreth 2 euro e gjysmë, nga 49.6 në të vjetrën në 52 në të renë. Ata që konsumojnë 1000kWh dallimi është rreth 10 euro, ndërsa dallimi rritet kur konsumi ngrihet.

Kurti ka thënë se sipas të dhënave bazuar në shpenzimet e vitit të shkuar, 70.4 për qind e konsumatorëve shtëpiakë nuk preken nga rritja e çmimeve të energjisë gjatë dimrit, ndërsa përqindja shkon gati në 90 gjatë verës.

Duke arsyetuar subvencionimin që bizneset të mos preken nga ngritja e çmimit të energjisë, Kurti ka thënë se kjo bëhet me qëllim që të shmanget rritja e mëtejme e çmimeve të produkteve që deri tash kanë përjetuar ngritje të tillë.

Në fund Kurti ka thënë se në kriza energjetike s’ka zgjidhje ideale dhe se subvencionimi i plotë nga shteti është i papërballueshëm ndërsa zhdukja e krizës menjëherë e pamundur. Ai ka kërkuar që qytetarët të racionalizojnë shpenzimet duke thënë se “sa më shumë që kursehet energjia aq më e vogël është nevoja për import dhe aq më i vogël ndikimi i krizës energjetike tek ekonomitë familjare”.

“Energjia e kursyer është buxhet i kursyer i shtetit dhe i xhepit të qytetarit”, ka thënë Kurti.

Me miratimin e këtyre tarifave, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kWh energji do të përballen me shtrenjtim të energjisë.

Këta konsumatorë do të duhet të paguajnë 5.9 centë për tarifën e ultë dhe 12.52 centë për tarifën e lartë.

Ata që do të shpenzojnë energji elektrike deri në 800 kWH nuk do të faturohen me çmimin e ri, derisa ata që e kalojnë 800 kWh, me çmimin e ri do t’iu llogaritet vetëm sasia e harxhuar mbi këtë vlerë.

“Tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët jo familjarë, në kuadër të Shërbimit Universal do të mbesin të njëjta si vitin e kaluar. Tarifat për konsumatorët familjarë, për nivelin e konsumit deri në 800 kWh në muaj, do të mbesin të njëjta, ndërsa diferenca e konsumit mbi 800 kWh për muaj, do të faturohet me tarifën e ulët (gjatë natës) prej 5.9 cent dhe tarifën e lartë (gjatë ditës) prej 12.52 cent. Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi me datë 9 shkurt 2022 dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023”.

Nga ZRRE-ja dhe KEDS-i e kanë treguar se me tarifat e reja do të llogaritet vetëm energjia e shpenzuar nga sot e tutje.

“Tarifat e reja hyjnë në fuqi nga data 9 shkurt 2022 dhe do të jenë të zbatueshme deri me 31 mars 2023”. Kalkulatori përmes së cilit mund ta llogarisni sa do t’ju vijë fatura

Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar dje edhe një kalkulator, përmes së cilit ju mund të informoheni se sa do t’ju vijë fatura në fund të muajit. /MONITOR

Loading...