Preisdenti Ilir Meta ka hedhur akuza të forta në drejtim të kryeministrit Rama, duke e quajtur atë shkaktar të vrasjes në Elbasan dhe plagosjes në Kavajë përpara zgjedhjeve të 25 Prillit, ndërsa shtoi se “regjimi fashist kërkonte gjakderdhje dhe tensione më 25 prill”.
“Detyra ime është të mbroj Kushtetutën, pluralizmin politik dhe rendin kushtetues në situatat më të vështira. Burimi i tensioneve para 25 prillit është Edi Rama. Vrasja në Elbasan, plagosja në Kavajë dhe incidentet e tjera u provokuan prej tij. Regjimi fashist kërkonte gjakderdhje dhe tensione më 25 prill, bëra gjithçka munda për ta ndalur. Në mbrojtje të votës, për t’iu kundërvënë frikësimit të qytetarëve shqiptarë nga ana e Qeverisë dhe e bandave të organizuara të partisë në pushtet. Thonë pse shkoi Presidenti te selia e një partie politike (FRD) në Tiranë?! Rendi ynë kushtetues bazohet në pluralizmin politik. Të sulmosh e të dhunosh në mënyrë të paligjshme selinë e një partie politike në mes të Tiranës, dhe ky konflikt mediatizohet kudo dhe Presidenti të jetë 100 metra larg selisë dhe të mos shkojë të shikojë në vendngjarje se çfarë po ndodh, kur sapo ka nisur fushata zgjedhore si dhe kur kjo gjë bëhet qëllimisht se vetëm kjo parti politike u regjistrua në koalicionin me opozitën, ky është faji i Presidentit”, tha Meta në një intervistë për Tv Apollon.
Ai komentoi edhe përplasjen e zyrtarëve të LSI-së me Bashkinë e Fierit për posterat gjatë fushatës zgjedhore, ku tha se LSI po provokohej, por ai bëri thirjepër qetësim të situatës.
“Le të vijmë te ngjarja e Fierit! Se të gjithë e dimë se është bërë çështje e madhe kjo historia e mprehjes së sfurqeve! Ju e dini shumë mirë që atë ditë ka pasur një konflikt paradite, dhe konflikti është shkaktuar për fat të keq nga Bashkia e Fierit që nuk ka respektuar rregullat zgjedhore. Kur në mënyrë të dhunshme kanë dashur të heqin posterat e LSI-së në zyrën që ishte marrë, sipas ligjit, për arsye sepse në atë shesh do të zhvillohej një miting i Partisë Socialiste, pasdite. Presidenti ishte këtu në zyrë dhe u njoftua që në Fier po ndodh një konflikt i madh dhe një tension i madh, dhe Presidenti si njeri i përgjegjshëm, del dhe shikon mediat dhe vëren konfliktin. Shikon që praktikisht kjo parti po provokohej, sepse në çdo rast edhe Bashkia, edhe organizatorët e mitingut, duhet të bashkëpunonin, në rast se ata mendonin se këta posterat e kësaj partie provokonin ata që do të organizonin mitingun. Përkundrazi, ishte e kundërta!
Dhe e kuptoj se ata po kërkonin një konflikt me pahir për të krijuar një gjendje tensioni, që situata të dilte jashtë kontrollit. Atëherë Presidenti çfarë thotë? I thotë deputetess, drejtpërdrejt, në konferencë shtypi: Flisni edhe me zotin Ruçi! Hiqini ato postera! Mos bëni konflikt! Madje, ka mundësi, kërkojini zotit Ruçi posterat e zotit Rama dhe vëreni aty! Ose i vë edhe unë! Se atë ditë unë do ikja në Vlorë, se nuk kishte ndonjë problem! Vetëm lëreni këto konflikte sot, mos bini preh nën provokime të tilla! Sepse ata nuk po ju provokojnë vetëm për sot, ata e kanë problemin e tensionit si dhe të lojërave për ditën e zgjedhjeve”, u shpreh Meta.