Zylyftar Hoxha
Fshati ynë ka qenë i vogël, me 10-12 shtëpi (u mpak në Grekun e parë, ku shumica e familjeve shkuan në Berat dhe nuk u kthyen më) dhe, si i tillë, dasmë apo gosti të ishte, ishin të gjithë aty të mëdhenj e të vegjël në të gjitha ditët e ritualit. Tani, pas kaq vitesh, më vinë në mend disa prej kronikave të tyre. Njëra nga të cilat ka të bëjë me Kurveleshin.
Sabriu ishte një nga burrat më të mirë të fshatit. Kishte qenë njeri i “i dalë” dhe si xhandar kishte bredhur “bythën e dreqit”, siç kisha dëgjuar të thoshin! Në dasma, kur vinte radha e këngës, ai, pas këngëve me avazin tonë, sado që ishte i pari i muhabetit, kërkonte leje të këndonte një këngë që nuk ishte e anëve tona. E bënte aq shpesh këtë në dasma a gosti, saqë dihej, dhe në kohën e caktuar pjesëmarrësit i drejtoheshin Sabriut: “Shkrepja tani”! Dhe ai ia niste, në fillim vetëm, më pas bashkohej edhe një tjetër dhe më pas akoma bashkoheshin të gjithë që ishin aty me një iso jo si jona, me lëvizje buzësh gjoja këndonin, por në të vërtetë nxirrnin një zanore të zgjatur, “o”, “e” apo “ë” midis “e”-së dhe “ë”-së. “Kurvelesh, zemra ime, Kurvelesh”, ia merrte Sabriu! Sakaq gratë linin punët matanë e grumbulloheshin te dera të dëgjonin. Kur shikoja këtë skenë, unë, si i vogël që isha, nuk e kisha mendjen te kënga, por te ai Kurveleshi, që zihej aq shpesh në gojë. Vrisja mendjen ç’të ishte ai, burrë, grua apo çfarë!?…Por që ishte gjë e mirë, e mirë do të qe, derisa ishte zemra e Sabriut. Vonë, kur shkova në shkollë, e mësova se ç’ishte Kurveleshi!…
Dhe ja tani pas kaq e kaq vitesh jam “në zemrën e Sabriut të ndjerë”, në Kurvelesh, madje në atë të sipërmin, që është çatia e Labërisë, me një qiell drite mbi krye. Janë pesë fshatra; Nivica, Rexhini, Gusmari-historikisht qendra e nënprefekturës, Progonati dhe Lekdushi. Si gishtërinjtë e një dore, të cilët s’bëjnë dot pa njeri-tjetrin. Natyra ngjason me një pikturë impresionuese të kapur pas reve. Në sfond, mali i Gribës (Këndrevica) 2221 m, qarkuar me malet e tjera. Njerëzit janë të rrëmbyer si rrëketë, dhe shumë krenarë. “Brenda humnerave pellazge dhe kanioneve të shumta e të frikshme, është historia e banorëve të zonës, zërat njerëzorë. Dhe kjo s’është një krahinë çfarëdo, por krahina emërshquar e Kurveleshit. Aty s’kanë vlerë lekët, qofshin edhe flori, s’ka peshë pushteti, qoftë edhe i sulltanit, aty ka vlerë krenaria dhe fjala, e cila, para se të thuhet peshohet me kandar dhe vret njëlloj si plumbi!…” (Mihal Gjergji, “Ngjyrat e mendimit”, Tiranë 2010, fq 56.)
Në vitet 1908-1919, u hapën edhe shkollat e para shqipe në këtë krahinë; në Nivicë nga Shuko Dalipi, në Gusmar nga Magrip Bana, në Progonat nga Shaqo Buxo, në Lekdush nga Sinan Tare Kërpi.
I paçmuar është edhe kontributi i mëmëdhetarit gusmariot Bilal Rukia, në hapjen e këtyre shkollave, këtu dhe në treva të tjera, aq sa drita e të cilit i verboi shovinistët grekë, të cilët e masakruan këtë pishtar në lartësitë e fshatit Pilur, në fushën e Vanovës.
Pushka dhe pena, një binom i pandarë i këtyre banorëve. Kudo që të rrëmosh, qoftë edhe sipërfaqësisht, është pëllëmbë e histori.
Rexhini krenohet me atdhetarin, publicistin dhe luftëtarin e arsimit kombëtar, Saliun, që jemi mësuar ta njohim si Sali Nivica. “Saliu ishte portë e shtyllë, a thue nji shkamb në të cilin tash 10 vjet i turren tallaze të mëdha pa mujtë me e bremun kërkund…”. Janë fjalët vlerësuese të Gjergj Fishtës, më shumë se çdo titull apo dekoratë e munguar.
Po Rexhini ka përkundur në djepin e tij edhe komandantin e famshëm të Bilbilenjve, kordhëtarin Bilbil Shako. (“Dale bej, të ndez cigarë/ Se s’jam çanaku me dhallë/ Po jam Bilbili me pallë…”)
Gusmari, një vatër qëndrese dhe bujarie, i pakrahasueshëm me asnjë fshat tjetër, kryesisht me shtëpi dykatëshe dhe odat e stolisura të burrave; të Gumene, Duke, Bane, Gjergje, Horjete, Gjoke, Çele etj. Vendlindja e Hasan Gjostojës që luftonte në krah të Zylyftar Podës, në kalanë e Melesinit. (“Hasan Labi bën dyfek/ Shtatë ditë e shtatë netë/ Sa dridhej foshnja në djep…”, e pas këtij luftëtari rendën të tjerë trima, Xheladin Serjani (“Kucoi”), i cili luftoi me tri mbretëri, Mero e Xhafer Gumeni, Rakip Duka, Xhafer Meta e deri te luftëtarët e fundit, dëshmorë të atdheut, Sami dhe Tafil Skëndo Gjergji, Çobo Mërkuri, Zigur Gjoka etj. Edhe vendlindja e rapsodëve popullorë, aq shumë të njohur, Ali Dine e Tahir Bana.
Pikërisht këtu, në Gusmar, dua të përshkruaj edhe një veçori interesante. Me polifoninë labe, të cilën do më pëlqente ta quaja simfonia labe, ka ngjashmëri interesante edhe ligjërimi i grave (kolli), të cilat vajtojnë një trim të vrarë apo një jetë të humbur. Vetëm atëherë, oda e burrave është e detyruar të heshtë, në nderim të perëndive.
Veziko Gumeni, simboli i dhimbjes dhe qëndresës njerëzore, do kujtohet gjatë, shumë gjatë, edhe nga brezat e ardhshëm, për vajtimin e mençur dhe drithërues. Çuditërisht, vdekja është më e uritur se mjerimi i banorëve, ndoshta kjo e shtyn të jetë e pamëshirshme.
Progonati, fshati më i madh i krahinës, vendlindja e Hetem Totos (ministër i Brendshëm në Mbretërinë e Zogut), Ismail Leskos, i Bilbilenjve, i Asllan Kucës, (dhëndër i Zylyftar Podës), një nga më të besuarit e Ali Pashë Tepelenës, i Asim Zenelit dhe dëshmorëve të tjerë, të cilët ranë martirë për këto troje. Fshati me numrin më të madh të alpinistëve dhe organizatorëve të ekipit të futbollit të zonës.
Lekdushi arsimdashës, një fshat i vogël, por interesant, për peizazhin dhe njerëzit e tij. Pikërisht nga ky fshat është shpërngulur edhe fisi e familja e Çelo Picarit, shekuj më parë, dy apo treqind vjet, për t’u vendosur në një kohë doemos të vështirë në fshatin tjetër ngjitur, Picar. Dhe historia e këtij luftëtari të shquar njihet nga bashkëkohësit tanë. Vendlindja e Mustafa Matohitit, luftëtar vizionar dhe orator, viktimë e idealizmit të tij.
Nivica, i dyti pas Progonatit për numrin e banorëve, me histori interesante, me pika të shumta kulmore, emra që kanë lënë gjurmë në kujtesën kolektive apo të shkruar, dhe një natyrë piktoreske.
Emrin e këtij fshati e mban si mbiemër një prej figurave të ndritshme të krahinës, Hodo Bej Nivica. Është luftëtari legjendë i rezistencës antiosmane, krahas Tafil Buzit, Veis Vasjarit, Zenel Gjolekës e Çelo Picarit. (“Fushë e Delvinës u nxi/ Tetë mijë suvari/ I shkreti Hodo Ali/ I kish djemtë çilimi…”).
Historia është e mbushur me emra të tjerë trimash niviciotë, deri te dëshmorët e fundit të luftës së dytë botërore, Dalip Seferi, Abaz Aliu (Malaj), etj. S’mund të flitet për Nivicën pa u ndalur së pari te miti-Hodo Ali, që ka ushqyer imagjinatën e disa brezave: “Si gjerdan mbi supe/ Të mban Këndrevica/ Vështron thellë në kohëra/ Hodo bej Nivica/ Ja, përtej Delvinës/ Paska rënë mavrija/ Plagët e Janinës/ I lidh Çamëria/…Lotët që s’ta puthën/ Syrin si fajkua/ Po i nxjerr nga shpirti/ Për dhimbjet e tua…”– (Mihal Gjergji, “Udhë të këputura”, Tiranë 2017, fq 13.).
Krahina e Kurveleshit të sipërm ka nxjerrë personalitete të kulturës, artit, e historisë; mendimtarin Ismet Toto, historianin e mirënjohur Pëllumb Xhufi, poetët e shquar Agim Shehu dhe Mihal Gjergji, sikurse të tjerë autorë të gjinive të ndryshme; Halil Qëndro, Ibrahim Gani, Martin Cukalla, Daut Gumeni, Azis Gjergji, Agim Basha, Izet Qulli, Çobo Skënderi, Veli Hodaj etj. E, të pesë fshatrat, kanë valltarë e këngëtarë virtuozë, të vlerësuar në festivalet kombëtare. Do përmendja emblematikët e valles labe, Remzi Banën e Alush Milorin: Xhufkat e kuqe ua puthte era, teksa nisnin shqiponjat për të fluturuar larg, ndërsa palët e fustanellës kërkonin lartësitë.
Brenda kësaj vlere, ka vendin e tij të padiskutueshëm edhe mësuesi model, njëkohësisht edhe poet popullor, Halo Malaj, autor i teksteve të këngëve.
Largohem nga Nivica duke vërshëllyer me buzë ison e lehtë drithëruese të asaj kënge që përcjell kryetrimin e këtij fshati, pikërisht në një ditë të bekuar, kur e enjtja ia dorëzon pushtetin “të xhumasë”, ditës së faljes: “Të ënjtën dhe të xhumanë/ Hodo trimi e dha xhanë/ Hingëllin i shkreti kalë/ Hingëllin e s’do të hajë/ 20 trima dot s’e mbajnë…”
U zgjatëm pak në historinë e këtyre fshatrave, që përbëjnë zemrën Labërisë, pasi këtu, si askund tjetër në Shqipëri, historia i hyn në hak, i lë pak vend gjeografisë. Labëria është unike në kulturë materiale e shpirtërore, me zanat blegtorinë, pushkën dhe këngën.
Kurveleshi është një hapësirë unike, me nuanca gati të padallueshme nga një zonë në tjetrën brenda tij. Një i huaj, psh, si unë, e ka të vështirë, që, në gjithë atë etni të lebërve, të vërë kufij: të ndajë Kurveleshin e Sipërm me atë të Poshtmin; Kurveleshin e Tepelenës me atë të Gjirokastrës; të Lumit të Vlorës me atë të Dukatit; të Bregut me atë të Delvinës etj. Këta janë kufijtë natyrorë, por karakteri i fortë lab, trimëria, humori dhe kënga labe kanë çarë më tej, kanë zgjeruar ëmbël dhe butë këtë kufi në Myzeqenë e Vogël (e Vlorës), Mifol; në Mallakastër përtej Vjosës; përtej Memaliajt, përtej Drinos në Rrëzë të Gjirokastrës, madje edhe përtej Gjirokastrës, në Lazarat etj.
Thesaret e historikë dhe natyrorë të Nivicës
Në fshatin, dikur më të zhurmshëm e më të bujshëm të Labërisë, shkretia dhe heshtja është vrasëse. Dy “thesaret” më të mëdhenj, që ka ky fshat, kalaja mbi, dhe kanionet poshtë tij, përbëjnë kompleksin historiko-natyror më unik dhe më të rrallë, që, edhe me qiri ta kërkosh, vështirë ta gjesh në të gjithë Shqipërinë. Nivica që herët ka zgjuar interesin e studiuesve të huaj, të cilët, sapo u është dhënë rasti, kanë “vrapuar” në këtë fshat. Nuk është munduar kot deri këtu gjeografi i famshëm Skilaksi, 50 vjet p.k për të parë nëse ky qytet ishte Amantia apo ndonjë tjetër. Diçka ka ditur konsulli francez pranë Ali Pashë Tepelenës, Pukëvili, i cili që në ditët e para të mbërritjes në Janinë, ka lënë mënjanë punët diplomatike dhe ka shpejtuar për në Nivicë. Pas tij, fshatin e ka vizituar H. Holand, duke i lënë radhë topografit dhe arkeologut të shquar të kohës, njëkohësisht konsulli anglez pranë Ali Pashë Tepelenës, William Martin Lik. Në fillim të shekullit të 20-të Nivicën e ka vizituar udhëtarja e shquar angleze, Edith Durham. Ajo i ka lënë Nivicës dy kujtime të rralla, një hartë të zonës dhe një vizatim në formën e një skice, ku shihen portrete të burrave të fshatit të Nivicës në shtëpinë ku ajo kishte bujtur. Por në Nivicë, në vitin 1930, u ngjit edhe i famshmi L. M. Ugolin, zbuluesi i Butrintit dhe i Foinikes.
Por Nivica ka edhe ca thesare të tjerë natyrore, janë thellinat poshtë fshatit, janë kanionet, për të cilët është folur pak më parë. Vetëm tani vonë, me lëvizjen e turistëve, ata janë jo vetëm të njohur, por edhe të vizitueshëm.
Kanionet fillojnë sa kalon fshatin Bёnç duke ndjekur të kundërtën e rrjedhës së lumit, ku në krah të djathtë ndodhet mali i Çoçkos me shumë shpella që mund të vizitohen. Në këto shpella u strehua çeta e Bilbilenjëve të ndjekur nga turku. Këtë kanion të madh e kanë krijuar lumi i Nivicës me degët e tij, si përroi i Lekdushit, përroi i Progonatit, i Gusmarit dhe i Gjonmushit, qendra është Guva e Nivicës. Kanionet në lashtësi kanë qenë të lidhur me ura si rrugë kalimi të fshehtë në kohë rreziku nga kalaja e Nivicës për në vendbanimin e hershëm Gradishtë, Progonat dhe Gusmar. Duke u nisur nga Guva në drejtim të rrjedhës së lumit, në krahun e majtë e përball kalasë, në lindje, ndodhen dy ujëvara, ajo e Pesjakut dhe ajo e Kastravicës. E para, me një lartësi 30 – 40 m dhe, e dyta, me një lartësi rreth 100 m, ku uji bie vertikalisht dhe në fund ka krijuar një gropë të madhe. Në kohë me shira ka një pamje madhështore.
Zagoi i Vasos është një vend disi i sheshtë me bimësi të gjelbër në mes të shkëmbinjve dhe në të gjitha anët rrethuar me humnera të thikta. Më pas vjen Vinja, i shfrytëzueshëm nga banorët, kryesisht për dimër për dhitë. Dhitë i çonin duke ndërtuar ura dhe skela, bagëtia qëndronin atje deri në pranverë, sepse s’kishte rrezik as nga egërsirat as nga njerëzit, pasi nuk shkonin dot.
Një tjetër kanion ka qenë Drimoi, disi i shfrytëzueshëm, me 4 – 5 ha tokë të sheshtë për 20-30 krerë dele ose dhi.
Veç kanioneve në Nivicë dhe rrethinat fqinje ka shpella të panjohura dhe të pa eksploruara, që përbëjnë një resurs turistik për zonën. Do të përmendim disa prej tyre: Shpella Kishë e Drimoit, e përdorur nga banorët në kohën e dy luftërave, të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Ka marrë emrin Kishë, ndoshta do të ketë qenë kish eremiti. Shpella e Guvës, ndodhet në humnerën poshtë kalasë; Shpella e Labës, Shpella e Gjonushit, Shpella e Aliqënde, Shpella e Ariut, Shpella e Gusmos, e Murtajës, Gropa e Merje etj.