Sot 31 vjet nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha

Sot mbushen plot 31 vjet nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha, i cili ishte vendosur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, dhe u tërhoq zvarrë rrugëve të qytetit, nga disa mijëra qytetarë të revoltuar kundër diktaturës.

20 shkurti është caktuar si Dita e Kujtesës Kombëtare për Martirët dhe Viktimat e Regjimit Komunist. Ajo shënoi në fakt edhe fundin e diktaturës në Shqipëri, ndërsa për vite me rradhë kjo datë është përkujtuar në formate të ndryshme.

‘Mijëra qytetarë u ngritën më 20 shkurt të vitit 1991 për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik.

Rrëzimi i monumentit të Hoxhës u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij’, thuhej në një njoftim zyrtar nga Muzeu Kombëtar ‘Shtëpia me Gjethe’.

Pamjet e atyre ngjarjeve, në sheshin ‘Skënderbej’ bënë xhiron e botës dhe e vunë edhe një herë Shqipërinë në fokus të zhvillimeve ndërkombëtare.

Rrëzimi i përmendores së diktatorit Enver Hoxha do të shënonte edhe ndarjen me të shkuarën dhe fillimin e një epoke të re, atë të demokracisë.

Po si raportohet 20 shkurti i 1991 nga një adolishent i asaj periudhe?

Bënte një vapë e pazakontë si fund shkurti që ishte. Studentët kishin më shumë se 2 javë që kishin braktisur auditorët dhe kishin mbushur lulishten në qendër të Qytetit Studenti që sot quhet sheshi “Demokracia”. Kërkesa e tyre ishte një e vetme. Emri i diktatorit Enver Hoxha duhej të hiqej nga Universiteti i Tiranës.

Isha adoleshent por e mbaj mend mirë se si çdo ditë protestave studentore i bashkoheshin mijëra qytetarë të Tiranës. Asokohe banoja pranë fushës “Ali Demi”, dhe meqë “Rruga e Elbasanit” bllokohej nga policia, detyroheshim t’i binim vërdallë fushave të fermës. Nga përroi Pal Poçes ku sot ndodhet Tregu Elektrik, mbas shkollës “Mihal Grameno” dhe përgjatë fushës tërë baltë. Sapo dilnim në Qytetin Studenti, lanim këpucët në vendin ku ishte ndërtuar një si biçim çezme që është akoma dhe sot. Ky ritual kryhej dy herë në ditë dhe vargu i qytetarëve që ndiqnin këtë rrugë vetëm shtohej.

Nuk di të them saktësisht se në ç’datë u përhap ideja për të hyrë në grevë urie por ajo që mbaj mend ishte turma e atyre që donin të regjistroheshin për të qenë pjesë e saj. Kërkesa e tyre prej gati dy javësh kish rënë në vesh të shurdhër. Qeveria komuniste e Ramiz Alisë nuk pranonte ta hiqte atë emër aq të urryer jo vetëm për studentët nga auditoret. Paria e Partisë Demokratike të sapoformuar qëndronte disi e mënjanuar për të mos i dhënë shkas propagandës së kuqe të përlyente protestën. E megjithatë, ata ishin gjithmonë aty. Azem Hajdari që spara pyeste për vendime partie, nuk lëvizte asnjë moment. Aty ishte Sali Berisha, Ylli Vejsiu, Eduard Selami, Arben Imami, etj.

Si moderator i mitingjeve ishte përzgjedhur Blendi Gonxhe. Që ti japim gjithsecilit hakën duhet thënë se realisht ka bërë një punë goxha të madhe për mbajtjen gjallë të protestës. Dinte si ta koordinonte batutën dhe ishte ai që ndërhynte pas çdo fjalimi. Nuk largohej asnjëherë. E tij ka qenë dhe shprehja: “shyqyr që s’i dhanë emrin e Enver Hoxhës dhe organizatës së Gruas se do quheshin “Gratë e Enverit”.

Vija re që në në grupe studentësh dhe një djalë thatanik, disi më i madh në moshë se studentët e tjerë. Diku tek të 30-at, me mustaqe të kuqe, flokë gjithashtu të kuqe kokoroç, me pardesy të bardhe në ngjyrë qumeshti që e kishte me shumë pasion protagonizmin dhe antienverizmin. Mundohej si e si të merrte të paktën një herë fjalën në çdo ditë të protestës, aq sa shpesh fliste i ngjirur. Më ka mbetur në mendje sepse e dëgjoja me shumë kureshtje, por se kuptoja se sa herë afrohej ky personazh, studentët largoheshin ose gjenin një arsye të largoheshin prej tij. Pse-në, s’dija ta thoja. Vonë jam kujtuar se ky ishte Shenasi Rama.

Studentët ndërkohë kishin 3 ditë në grevë urie… Spiunët e sigurimit të shetit ishin gjithmonë vigjilentë dhe të pranishëm para kinoklubit për të kapur me anë te kamerave ndonjë gjë që nuk shkonte. Si p.sh, inskenimi i ndonjë ushqimi që futej fshehtas, apo të tjera si këto. Me pas pamjet e marra, pasi përpunoheshin në Ministrinë e Brendshme i shkonin TVSH-së me qëllim për ta denigruar sa më shumë grevën.

Duke përfituar nga mosha vogël një ditë hipa në tarracën e kinoklubit, dhe që andej nga një prej dritarëeve të hapura hyra brenda… Me aq sa munda të shoh, për shkak se më nxorrën jashtë shumë shpejt, pashë dhe kushtet tejet të vështira të asaj greve. Në atë kohë se mendoja kurrë se ato pamje do hynin në histori si një nga ngjarjet më të rëndësishme të vendit. Ngado ishin shpërndare shishe uji, serum për ata në gjendje më të rëndë dhe një tym i paimagjinueshëm duhani… Kinoklubi kishte vetëm katër banjo ndërsa në grevë urie kishin hyrë gati 700 studentë. Shumë prej tyre femra. Gjithsesi tek asnjë nga ata nuk pashë shenja dorëzimi. Askush nuk lëvizte nga ajo sallë.

Shurdhërisë së qeverisë komuniste po i përgjigjeshin qytetarët e Tiranës. Më 20 shkurt, sindikatat kishin bërë thirrje punëtorëve për t’u bashkuar me studentët. Rreth orës 10:00 mbërritëm me Andin shokun tim të fëmijërisë përballë kinoklubit. Protestat i kisha ndjekur çdo ditë që nga dhjetori por pjesëmarrja atë ditë ishte tronditëse. Disa qytetarë të Durrësit e të Kavajës kishin udhëtuar në këmbë për tërë natën kodrave që në mëngjes të ishin pranë studentëve. Kjo ishte e vetmja zgjidhje pasi rrugët dhe trenat kontrolloheshin nga policia. Ishte aty e tërë Tirana. Gjimnazistë, punëtorë, intelektualë. Askush dhe asgjë s’mund ta motivojë njeriun më shumë se shpresa e lirisë.

Rreth orës 11:00 u përhap lajmi se një grup grash mes të cilave dhe aktorja Rajmonda Bulku ishin keqtrajtuar nga policia. Sipas asaj çka qarkullonte kishin shkuar për të protestuar tek godina e sekretarit të parë të Komitetit Qendror ku sot është Presidenca. Nuk e di kush e përhapi atë lajm por menjëherë turma filloi të lëvizte poshtë drejt Fakultetit Ekonomik. Por pa mbërritur tek ish-ambasada italiane sot ambasada amerikane, dolën forcat e para të policisë.

Të pakta në numër ato u thyen shpejt nga gurët që s’u morr vesh se nga dolën. Turma vazhdoi më tej tek Liceu Artistik dhe më pas para Televizioni Shqiptar. Aty ishte dhe përqendrimi më i madh Forcat Speciale, ndërhynë me shkopinj gome, qen kufiri pa maska, dhe me një si zjarrfikëse që lëshonte ujë të ngjyrosur të kuq që s’të hiqej nga rrobat. Një minibus i blinduar ngjyrë jeshile me fenelina të policisë ecte me shpejtësi marramendëse duke i hyrë turmës përmes.

Protestuesit u ndanë më dysh. Ata që ishin disi më të avancuar kishin mbetur të rrethuar nga forcat policore. Por ishte ndërhyrja vendimtare e të zotëve të shtëpive private përballë Liceut ( sot është mbushur me ndërtime) që u hapën dyert dhe i strehuan pasi shumë do kishin përfunduar keq. Historitë me tortura në komisariate ishin kthyer në një legjendë. Duke parë këtë situatë turma u rikthye sërish duke qëlluar me gurë dhe u bashkua me pjesën tjetër në krah të televizionit. Më tej nuk lejoheshe të shkoje për të dalë në bulevardin Dëshmorët e Kombit . Ishte angazhuar në numër të madh dhe ushtria, te paisur kryesisht me lopata xheniere. Aty u zhvillua një betejë epike. Zhurma e kallashësh që shtinin në ajër, gurë që hidheshin, përplasje trup më trup. Më në fund policia dorëzohet.

Që të jemi të saktë, askush prej protestuesve se kish menduar se do hidhej busti. Kjo ishte gjëja e fundit që mendonin njerëzit aty. Të gjithë i ishin vërsulur Bllokut për të nxjerrë dhe tërhequr zvarrë që aty shkaktarët e asaj varfërie dhe mungese të lirisë. Një revolucion i ngjashëm me atë të Rumanisë. Rrëzimi i bustit me sa duket u përdor si valvul shkarkimi për të ruajtur kokat e tyre, pasi si rrugë kalimi u hap një shteg në drejtim të Lanës për të dalë më pas në Bulevardin “Dëshmorët e kombit” para hotel Dajtit. Kjo mund të ketë qenë dhe strategji e policisë për të shmangur hyrjen në bllokun komunist.

Forcat policore ishin rreshtuar me tanke, mitralozë të rëndë dhe autoblinda, në fillim të urës kryesore. Protestuesit u mblodhën sërish aty, pasi siç e thamë synimi ishte blloku i udhëheqjes dhe ata që ishin brenda. Por papritur turma u kthye drejt sheshit kryesor… Nuk ishte Neritan Ceka, (ai i ktheu të nesërmen) as ndonjë nga përfaqësuesit e lartë të PD-së të sapo krijuar… Madje gjatë tërë protestës, nuk i kam parë. Vetëm se ta çaje atë gardh tankesh, autoblindash dhe ushtarësh të armatosur deri në dhëmbë ishte në kufijtë e së pamundurës. Në rast se forcat policore nuk do dorëzoheshin, siç kishte dhe shumë gjasë, do shkaktohej një gjakderdhje e paparë. Ndoshta ishte dhe instikti që i ktheu njerëzit drejt shtatores, por ngahera e kam menduar se në rast se do ndodhte ajo që ndodhi ne Rumani, pavarësisht masakrës, gjërat sot do shkonin ndryshe.

Gjendja në sheshin Skënderbej nuk ishte shumë më ndryshe nga ajo ç’ka u pa tek Televizioni dhe Ura e Lanës në Bulvard. Habiteshe nga numri i pamatë i tyre njerëzve të revoltuar që dukej sikur s’kishte të sosur. Së bashku me shokun tim të fëmijërisë zumë vend tek Kryqëzimi në krah të Bankës, kur merr për nga rruga e Kavajës. Në këtë kohë turma rrethoi sheshin ku ngrihej statuja e bronztë. Policia ishte mbledhur rreth saj ndërkohë që minibusi jeshil i blinduar bënte zigzage mes turmës, duke vënë seriozisht në rrezik jetën e njerëzve. Ishin skena ku mund të shihje forcën e një populli të mbushur me urrejtje që lufton kundër një tiranie që i ka marrë gjithçka. Lirinë, dinjitetin, pronën. Me thonj shkulën pllakat e mermerta dhe copa asfalti për të qëlluar atë shtatore që mbarte në vetvete gjithë shëmtinë e asaj çka kish ndodhur në më shumë se katër dekada. Një prej policëve me pushkë shotgan në dorë qëllonte drejt, por falë zotit ishin fishekë manovër. Tek këmbët e shokut tim u ngatërrua një qen policie dhe për pak sa nuk e rrëzoi, por një pllakë mermeri e hedhur nga dikush bëri që qeni së bashku me të zotin të largohej duke kuisur nga dhimbja…

Në këtë moment turma pushton bazamentin e statujës… E qëllonin me grushte duke thirrur “ta hedhim qelbësirën”, por sërish ai qëndronte aty, sikur i bënte karshillëk atyre që i kish persekutuar e burgosur për 45 vjet. Aty pari në rrugën pas shtatores ku më parë kanë qenë reklamat kalon një makinë tip “Zuk” nga ato të ish- komunales e përshtatur për transport mallrash, ndoshta dru zjarri, s’më kujtohet dhe turma i bllokon rrugën. Shoferi refuzoi ta dorëzonte mjetin, por ata morën kavon e çelikut që përdorte në rast rimorkimi dhe e lanë të shkonte. Pjesa tjetër e protestuesve vazhdonte të përplasej me policinë. Një djalosh i qethur shkurt, me një palë pantallona jeshile që feksnin nën diellin e fortë të atij shkurti, hipën mbi supet e dikujt me kavo në dorë. Policia sulmon sërish dhe turma zmbrapset paksa, ndërkohë që djaloshi për disa sekonda mbetet varur tek gishti i dorës së mbrapme të statujës, ndërsa policët ishin poshtë tij.

Në këtë kohë protesta arrin kulmin. U shkulën me thonj pllakat përrreth shtatoresh, apo copa trotuari që hidheshin drejt policisë që në këto kushte nuk kishin rrugë tjetër vetëm se të zbytheshin . Njerzit zbresin djaloshin poshtë dhe fillojnë të tërheqin shtatoren. Kishte aq shumë duar, tërhiqnin sa s’mund të gjeje dot një vend të lirë.

Dukej se në atë kavo ishin varur shpresat e një populli për një jetë më të mirë. Një, dy dhe statuja filloi të lëkundej, siç po lëkundej dhe vetë sistemi që e ngriti. Pas lëkundjes së tretë diktatori në bronx mbeti për nja dy sekonda i mënjanuar në krah (sikur priti që turma të hapej) dhe më në fund u rrëzua. Të gjithë sa ishin u vërsulën drejt asaj shëmtie që i kujtonte veç vuajtje vetëm se në këtë ditë ajo ndodhej nën këmbët e tyre.

Nje helikopter i armatosur rëndë erdhi dy herë vërdallë mbi kokat tona, dhe më pas u largua në drejtim të jugut. Njerëzit e shanin dikatorin, e pështynin. Më ka bërë përshtypje portreti i një plaku të pafuqi që se di si kish ardhur deri aty, që hipi dhe ai mbi shtatoren e rërzuar dhe vetëm shihte e lotonte. Nëj makinë tip “IFA” ngjyrë blu që i përkiste Forcave Speciale, por ishte rrëmbyer nga protestuesit, u afrua dhe me të njejtën kavo që ish rrëzuar diktatori lidhën shtatoren dhe e tërhoqën zvarrë drejt qytetit studenti.

Loading...