A është ‘gabi’ i preferuari i shqiptarëve?Sa shpenzojnë shqiptarët për t’u veshur?
Biznesi i veshjeve shihet gjithnjë e më shumë me zgjerim në Shqipëri, që ndonëse një treg i vogël, janë të pranishëm emra ndërkombëtarë.
Sa blejnë shqiptarët? Nga ‘gabi’ deri te firmat më të shtrenjta ka klientelë për çdo segment.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2017 janë importuar në total 33.7 mln lekë veshje të reja. Dyqanet e vogla ankohen për tkurrje, ndërsa qendrat tregtare përfaqësohen çdo vit nga marka të reja. Blerjet online po ‘lëngojnë’ pas ditëve të tyre të arta, ndërsa dyqanet ‘gabi’, të formalizuara, po shtohen dita-ditës.
Mania e shqiptarëve për të shpenzuar për veshje nuk dëshmohet vetëm nëpërmjet statistikave. Numri i dyqaneve ende në këmbë, markat ekzistuese dhe planet për ardhjen e të tjerë emrave ndërkombëtarë, fuqizimi i disa grupeve që tregtojnë veshje për të cilat shqiptarët shpenzojnë shumë, janë veçse disa nga treguesit që dëshmojnë këtë zgjerim.
Sektori i blerjeve online është ridimensionuar në disa forma. Në treg ka tregtarë informalë, të cilët e kryejnë aktivitetin nëpërmjet rrjeteve sociale; dyqane të formalizuara online, të cilat raportojnë tkurrje në aktivitet. Nga ana tjetër, statistikat e transportit tregojnë për një rënie të ndjeshme të mallrave nëpërmjet postës vitin e shkuar. Dyqanet e vogla të tregtisë së veshjeve të përdorura kanë shënuar zgjerim dy vitet e fundit, ashtu sikurse edhe importi i veshjeve, duke dëshmuar edhe për një tendencë të vjetër të shqiptarëve për ‘gabin’. Mirë se erdhët në Shqipëri, vendi ku shpenzimet për veshje janë në nivele europiane.
Një individ shpenzon në muaj rreth 3100 lekë për artikuj veshjeje (ose këpucë). Edhe pse renditemi ndër vendet me të ardhura të ulëta për frymë, kur vjen puna te veshjet shpenzojmë po aq se europianët. Sipas të dhënave nga Anketa e Buxhetit të Familjes 2017, pesha e shpenzimeve për veshje dhe këpucë zinte 4.3% të totalit, nga 4.8% një vit më parë. Këto shpenzime janë shumë pranë nivelit mesatar në Europë. Sipas Eurostat, në vitin 2016, shpenzimet për veshje në Europë zinin 4.9% të të ardhurave.
Importet, në 2017 arritën 34 mld lekë
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në total, vitin e shkuar në Shqipëri janë importuar veshje të gatshme me vlerë totale prej thuajse 34 mld lekë. Të dy zërat e importuar, nën emërtimet sipas nomenklaturës së Doganave, përkatësisht ‘artikuj veshjesh dhe plotësues veshjesh jo të thurura’, si dhe ‘artikuj veshjesh dhe rroba plotësuese të thurura’ përbëjnë në total 33.7 mld lekë.
Krahasuar me një vit më parë, totali i të cilave është 30.2 mld lekë, dëshmon një tendencë të lehtë në rritje të importeve të veshjeve, me thuajse 11%. Sipas tregtarëve të vjetër të dyqaneve me pakicë në kryeqytet, këtë vit ‘guxuan’ të merrnin më tepër furnizime, kryesisht nga Turqia, për shkak të rënies së lirës turke në verë. Ata deklarojnë se kjo rënie u reflektua me porosi më të shpeshta, duke qenë se leverdia e blerjes së mallrave ishte e lartë.
Treg i vogël, marka ndërkombëtare
Ndonëse Shqipëria është një treg i vogël, edhe në sektorin e veshjeve, prej vitesh ka përfaqësi të firmave botërore. Lidhur me këtë, me kalimin e viteve, qendrat tregtare, jo vetëm që konkurrojnë mes tyre për markat që sjellin në Shqipëri, por kanë rritur edhe formatet e dyqaneve, me standardin ndërkombëtar. Dyqanet me ecuri më të mirë në Shqipëri janë ata që targetojnë shtresën e mesme.
Sipas burimeve të ndryshme nga qendrat tregtare, kjo ka ndodhur për disa arsye. E para, sepse shtresa më e ulët me fuqi më të dobët blerëse se ajo e mesme, nuk zgjedh të blejë në qendra tregtare, por në dyqane më të vogla me shitje me pakicë.
Madje ata janë më të orientuar të shkojnë drejt dyqaneve informale që tërheqin konsumatorin me çmimin më të ulët. Arsyeja e dytë lidhet me faktin se shtresat më të pasura, me fuqi më të madhe blerëse se sa ajo e mesme, konsiderohen blerës potencialë jashtë Shqipërisë. Kjo shpjegon faktin pse markat luksoze nuk kanë sukses në tregun shqiptar.
A është ‘gabi’ i preferuari i shqiptarëve?
Sipas të dhënave nga INSTAT, importet e veshjeve të përdorura arritën në 3.15 mld lekë në 2017-n në Doganë, duke u dyfishuar në krahasim me 5 vjet më parë. Ndërsa vlera e shtuar e këtij biznesi vlerësohet më e lartë, prej leverdisë së tregtarëve në rishitje. Që prej vitit 2013, importet e veshjeve të përdorura janë rritur me ritme dyshifrore. Kjo është e dukshme dhe në numrin e madh të dyqaneve që janë hapur në kryeqytet, që u shtuan dhe më shumë pas mbylljes së tregjeve masive. Thuajse të gjitha dyqanet e vogla të tregtimit të veshjeve të përdorura (kryesisht veshje, më pak këpucë) janë të formalizuara. Tirana, kryeqyteti i çudirave, ofron alternativa të shumta të varianteve moderne të “gabit”, të cilat i gjen në çdo lagje (madje edhe më shumë se dy dyqane në një lagje).
Rritja e kërkesës nga konsumatorët për veshje të përdorura ka shtuar numrin e operatorëve të vegjël në treg, duke sjellë edhe shtrenjtimin e çmimit me shumicë të tyre. Sigurisht, që edhe çmimet në pakicë kanë shënuar rritje krahasuar me vite më parë. Sipas një vëzhgimi në një lagje të Tiranës, duke nisur nga kryqëzimi i rrugës ‘Sulejman Delvina’ me atë të Komunës së Parisit, dyqanet e tregtimit të veshjeve të përdorura, vetëm në rrugën kryesore, numërohen 10.
Janë kryesisht ngjitur me njëri-tjetrin, artikujt kryesorë që tregtojnë janë veshje trupi, më pak për këmbët. Mallrat që qarkullojnë dhe që shiten më tepër, sipas tyre, janë ato për fëmijë, duke qenë se përmasat e trupit ndryshojnë çdo muaj. Tregtarët e veshjeve të përdorura kanë zbuluar prej vitesh tashmë një ‘hile’. Ndonëse një pjesë e mirë e tyre furnizohen me artikuj me peshë, që do të thotë që përmbajtja është thuajse surprizë për tregtarin, ata tashmë i njohin mirë firmat. “Kërkesat për një xhup Mango, Zara, apo një xhaketë Benetton janë më të larta, ndaj ne i ndajmë veç dhe i reklamojmë në hyrje të dyqanit”- pohon një tregtare e veshjeve me pakicë prej dhjetë vjetësh në rrugën Komuna e Parisit, çmimet në artikujt e së cilës ishin ‘të kripura’.
Sipas tregtarëve, pavarësisht dyqaneve të shumta, dhe mbylljes së disa tregjeve të përbashkëta, dyqanet e vogla kanë rezultuar fitimprurëse, sidomos pranë lagjeve me përqendrim të lartë popullsie, si Komuna e Parisit. Destinacioni kryesor nga vijnë veshjet e përdorura është Italia. Më pas renditet Kina, me 15%, e ndjekur nga Turqia me 14% dhe më pak nga Gjermania, Greqia, Anglia, Franca, Serbia. Veshje të përdorura vijnë madje dhe nga India e Pakistani. Sipas tregtarëve, këpucët importohen kryesisht nga Gjermania, ndërsa veshjet me mbi 50% nga Italia.