“Në mundsh” – Rudyard Kipling fitues i çmimit NOBEL

RUDYARD KIPLING
Fitues i çmimit NOBEL

NË MUNDSH

Në mundsh të ruash arsyen kur bota humbet fillin
e fajin ty ta hedh – dhe vetes t’i besosh
sa herë te ti dyshojnë e s’të përfillin –
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…

Në mundsh të rrish në pritje nga pritja pa u lodhur,
e ku t’urrejnë – urrejtje të mos ushqesh,
madje ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi, me të pa rënë ndesh…

Në mundsh të mendosh, por jo gjer në shkatërrim,
Të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,
dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim
ngadhënjim e shpartallim – burim mashtrimesh…

Në durofsh dot që thëniet e tua të drejta
Në kurthe trutharët, kopukët, të t’i kthejnë,
t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta,
e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…

Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh,
si në kumar, në një të vetme lojë,
të rrezikosh, të humbësh, e prapë t’ia fillosh
dhe humbjen kurrë të mos e zësh me gojë…

Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër
të të shërbejnë edhe kurrë gjithçka duket e kotë,
e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,
që veç një fjalë – “Qëndro” – gjithnjë të thotë…

Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash,
e t’ecësh përkrah mbretit pa krenarinë që të verbon,
nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash
dhe gjithkënd e çmon, por veç sa meriton…

Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të rënda
Me vepra që peshojnë – dije dhe mos kij asnjë dyshim
Se jotja do të jetë bota me çka brenda
Dhe Burrë do të jesh BIRI IM.

Loading...