Kryetarja e Forumit të Gruas së Partive Popullore Europiane Doris Pack kritikoi ashpër ambasadoren e SHBA në Shqipëri Yuri Kim. Në profilin në “Twitter” të diplomates amerikane, ish-eurodeputetja gjermane i shkruan se po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë dhe se asnjë ambasador në ndonjë vend të botës nuk vepron si ajo. Pack shton se ndihet e turpëruar nga sjelljet e Yuri Kim.
KOMENTET:
Yuri Kim: Pyetje për kandidatët: Nëse sponsori juaj është dikush i shpallur i korruptuar nga SHBA, çfarë u premtoni votuesve? Kush ju drejton dhe çfarë i detyroheni? çfarë presin shqiptarët? çfarë prisni që SHBA të bëjë?
Doris Pack: Znj.ambasadore Kim, nuk ka asnjë ambasador në ndonjë vend demokratik që sillet kështu si ju. Ju po ndërhyni vazhdimisht në punët e brendshme të Shqipërisë. Ju nuk po e nderoni vendin tuaj, SHBA. Ndihem e turpëruar nga ju.
Ditën e djeshme, diplomatja amerikane iu drejtua kandidatëve të “Shtëpisë së Lirisë” se çfarë u premtojnë qytetarëve të tyre kur sponsorizohen nga një person i shpallur “non grata” nga SHBA, duke nënkuptuar Sali Berishën. Në “Twitter” ajo shkroi se çfarë besojnë kandidatët e koalicionit në fjalë se presin shqiptarët prej tyre dhe se çfarë duhet të bëjë SHBA.
Ish-kryeministri Sali Berisha iu kundërpërgjigj Kim duke thënë se po shkel Kushtetutën e Shqipërisë. Në Shkozet, ish-kryetari i PD e konsideroi ambasadoren amerikane si përfaqësuese të mafias së drejtuar nga George Soros.