Presidenti Ilir Meta përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë thirrje sot për një politikë të përgjegjshme ekonomike në interes të qytetarëve. Meta citon shifra për rritjen e çmimeve në muajin janar, teksa duke iu referuar të dhënave të EUROSTAT deklaron se Shqipëria ka nivelin më të lartë në rajon në përqindje të mesatares europiane.
Merta thekson se në kushtet kur rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë vijon pa u ndalur, institucionet duhet të marrin nisma konkrete për indeksimin e pagave me qëllim për të ruajtur nivelin e jetesës së qytetarëve.
DEKLARATA E PRESIDENTIT
KOHA PËR NJË POLITIKË TË PËRGJEGJSHME EKONOMIKE NË INTERES TË QYTETARËVE.
Çmimet në vend vazhdojnë të rriten në nivele shqetësuese, duke dëmtuar seriozisht ekonomitë familjare dhe thelluar varfërimin e shqiptarëve.
Në janar 2022 çmimet në total janë rritur në masën 5.0%, ndërsa të mallrave ushqimore në 9.9%. Ndërkohë sipas të dhënave të EUROSTAT, Shqipëria ka nivelin më të lartë në rajon në përqindje të mesatares europiane.
Në kushtet kur rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë vijon pa u ndalur, institucionet shtetërore përgjegjëse jo vetëm duhet të monitorojnë zhvillimet e inflacionit, por edhe të marrin nisma konkrete për indeksimin e pagave me qëllim për të ruajtur nivelin e jetesës së qytetarëve.
Mosreagimi ndaj rritjes së çmimeve nuk është në përputhje me interesin publik, rritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë dhe mbrojtjen e tyre nga spekulimet.