Nga Genc Demiraj
Gëzuar…
Gëzuar është fjala që çdo njëri nxjerr nga goja këto ditë… Gëzuar dhe një vit të mbarë, uron gjithëkush me dashamirësi dhe sinqeritet.
Gëzuar, uron që nga fëmija, i riu dhe plaku…
Gëzuar, është urimi unik që vetëm këto ditë thuhet me gojën plot, si për të njohurin, të afërmin dhe mikun ashtu dhe për të panjohurin, bashkëqytetarin dhe kundërshtarin. Gëzuar, ju o vogëlushët e bukur të 2018, që nanuritjet e moshës nuk ju lanë ta kuptonit vitin tuaj. E jetuat të qetë, të ëmbël dhe plot ngjyra, paçka se prindërit tuaj herë qanin herë qeshnin. Gëzuar , o rini e zjarrtë, që vitin e lënë pas e përcollët me vrullin e energjisë suaj….
Gëzuar , o prindër dhe familjarë të mirë…o pensionista dhe veteranë të bardhë , që optimizmi dhe pesimizmi ju dërmoi…besimi dhe zhgënjimi, ju demoralizoi… Gëzuar, dhe “ato” që latë pas mos i gjetshit…por veç gëzimin, harmoninë dhe shëndetetin…
Gëzuar dhe ju o njerëz të politikës, qofshit të majtë, të djathtë a më përtej…që në 2018 e telendisët këtë popull sa andej këndej ! E dyzuat pamëshirë për ditë duke i nëpërkëmbur vlerat, besimin dhe nderin…E latë si mos më keq dhe të mpirë …për ta përdorur, sepse ju duhet edhe vitin tjetër…Dhe përsëri ky popull sot ju uron me të vetmen fjalë të thjeshtë…Gëzuar…pa ju bërë shumë temenara dhe elozhe sepse ka shpresën dhe besimin që në 2019 çdo gjë duhet ndryshuar…
Gëzuar, është fjalë e magjishme që nga goja nxjerr çdo njëri…Bëhen bashkë pa dallim në këtë fjalë, edhe kombi, edhe populli, edhe partitë… Gëzuar..