Roman Abramovich ka hequr dorë nga drejtimi i Chelsea, të paktën përkohësisht. I akuzuar nga shteti anglez se është ndër personat e afërt të Vladimir Putin, presidentit të Rusisë që nisi luftën në Ukrainë, manjati ka vendosur të lërë detyrën pas 20 viteve investime, me Chelsea që kalon në dorë të Fondacionit kujdesës. Mesa duket ky nuk është një largim përfundimtar, teksa pozitat pritet të sqarohen në të ardhmen.
Si sanksione për luftën në Ukrainë, shumica e vendeve evropiane kanë nisur sanksionet për Rusinë, presidentin Putin dhe njerëzit e afërt me të. Duket se e ka pësuar edhe Abramovich, që sipas perëndimit është ndër 35 oligarkët e lidhur me Putin. Duke qenë se i refuzohet qëndrimi në Britani dhe njëkohësisht investimi, duket se ky ka qenë një vendim i detyruar.
“Gjatë pronësisë sime gati 20-vjeçare të Chelsea FC, gjithmonë e kam parë rolin tim si kujdestar i klubit, puna e të cilit është të sigurojë që ne të jemi aq të suksesshëm sa mund të jemi sot, si dhe të ndërtojmë për të ardhmen, duke luajtur një rol pozitiv në komunitetet tona.
Gjithmonë kam marrë vendime me interesin më të mirë të Klubit në zemër. Unë mbetem i përkushtuar ndaj këtyre vlerave. Kjo është arsyeja pse unë sot po u jap administratorëve të fondacionit të Chelsea kujdesin e klubit.
Unë besoj se aktualisht ata janë në pozitën më të mirë për t’u kujdesur për interesat e klubit, lojtarëve, stafit dhe tifozëve”, thotë Abramovich në komunikatën e shpërndarë nga klubi.