Lamtumirë Jani Gjergji…! Nuk e di, por sa herë takohesha me të ja ndjeja elegancën dhe dinamizmin në çdo gjë. Në qëndrim, në komunikim, në të folurën e tij, në vrullin apo zhdërvjelësinë tipike të një valltari të lindur e koreografi race…!
Profesor Jani i flisnin të gjithë, të njohur e të panjohur që nga fëmijët e vegjël e gjer tek pleqtë edhe më të moshuar se ai. Sepse këtë titull, Jani Gjergji, e kish fituar në një mënyrë pothuaj të njëzëshme nga publiku artdashës i tij, nga krejt banorët e Vlorës sonë që absolutisht e kishin njëhsuar me simbolin emblematik të valles dhe koreografisë së qytetit të tyre…!
Sot profesor Jani Gjergji, nuk është më…!
Ai u fik në mënyrën më të qetë , në heshtjen e tij paqësore drejt skenës së madhe të përjetësisë, por duke na lënë të gjithëve ne këndej pas, në skenat reale, gjëmimin e daulleve të valleve të tij, dinamizmin, bukurinë, emocionet, entuziazmin e dhuruar, koreografitë e realizuara, çmimet e trofetë e fituara dhe jehonën e duartrokitjeve të merituara…!
Do të mbetet i pa zëvëndësuar e ndoshta i pa arritur për shumë kohë, kontributi i Jani Gjergjit në artin e koreografisë profesionale, ai lindi me baletin, me vallen, u rrit dhe u pleqërua me koreografinë gjer në frymën e fundit…!
Gati shtatëdhjetë vjet karrierë me 5000 valle, tablo e poema koreografike, Laureat i tre festivaleve kombëtare folklorike e pjesëmarrës në dhjetra festivale ndërkombëtare.
E mbylli siparin e skenës së tij jetësore sot profesor Jani Gjergji, duke na lanë në pikëllimin e njerëzishëm për humbjen, por krenarë për sukseset dhe artin e tij thesar…! Lamtumirë profesor…! Genc Demiraj