Florika nga Qeparoi, këngëtarja e polifonisë që la kurbetin për këngën labe. Ja projekti që do realizohet në bashkëpunim me Folk Grup Bilbilin – Nga Sejmen Gjokoli

FLORIKA E KËNGËS SË FLORINJTË…NGA SEJMEN GJOKOLI

-me këngëtaren polifone Florika Thanasi Kotska-

Nga afër do ta njihja kësaj verë në Pilur, në një aktivitet që krijuesit e Bregut organizonin aty për rreth rrapit hierëndë.Florika kishte ardhur me pushime në vendlindje, në Qeparo, dhe u ngjit deri lart në Pilur, aty ku kënga piluriote bëri histori të madhe.

Petraq Pali, poeti e shkrimtari i njohur qeparotas, ma prezantoi si këngëtare polifonie e më foli për pasionin e saj për këngë e poezi.Jam befasuar nga dashuria e saj për këngën polifonike, atë bregase sidomos.
Më foli gjatë për përpjekjet e saj në udhën e këngës, prej kohës kur ishte nxënëse në shkollën e fshatit e deri kur u bë nuse në një derë Armeni, pas maleve të Vetëtimës.

Pasionit për këngë e muzikë ja bëri “ysmetin”,në përfundim të klasës së tetë doli fituese në konkursin e organizuar në Vlorë për të ndjekur shkollën e muzikës, paçka se në konkurimin përfundimtar në Durrës edhe pse do të shkëlqente e do delte fituese, rrugës së gjatë deri në Qeparo do ti “humbiste” çmimi i fituar e tjetër kush do dërgohej në vendin e saj.
Si shumë të tjerë talente të humbur prej “ngatërresash” të tilla…

Nuk ishte as pesëmbëdhjetë vjeçe kur me vajzat e Qeparoit do të regjistronin në radio Tirana këngën e njohur për kohën ” Erdh’ pranvera si nga hera”, e më tej do të nisnin pjesëmarrjet në të gjitha aktivitet konkuruese që Qeparoi apo edhe shkolla e mesme e Borshit duhet të përfaqësoheshin në takime e konkurse kulturore.

Por vendlindja e saj, e njohur për histori trimërie e diturie, në këngë nuk mund të ngjitej aq lart sa Florika kishte mrekullinë e talentit të zërit të saj duke mbetur pas në radhë me Pilurin, Himarën e Dhërmiun e”leshprerave”.

Vetëm aty nga viti ’98, Florika Thanasi Kocka, do të ndjente përkrahjen dhe dorën e të madhit të këngës së Bregut Lefter Çipa i cili e bëri bashkë me këngëtarë të tjerë të asaj ane, nga Piluri, Himara e Vunoi në Ansamblin e pagëzuar me emrin e polifonit të madh Neço Muka.

Atëkohë Televizioni Publik Shqiptar do të realizonte një dokumentar të rrallë me këngët e bregdetit dhe Florika do shkëlqente e befasonte me magjinë e vokalit të saj.Ishte koha kur këngëtarja e madhe piluriote, Ermioni Mërkuri, kishte marrë edhe vetë udhën e emigracionit duke krijuar një boshëllëk të madh në korpusin e këngëve të Bregut.

Ishte koha kur Florika me Katinën e Himarës do shpërfaqnin së bashku një buqetë të tërë me perla joniane. “Kënga e Vasiliqisë”, ” E veja me kadife”, “Kënga e lundërtarit” e deri te ” Nata e Pashkës” në duet me Katina Belerin, janë disa prej këngëve të saj realizuar në ato ditë xhirimesh në disa prej bukurive të bregdetit shqiptar.

Tani, ndonëse ka gati dy dekada udhëve të kurbetit, prap si ndahet shpirti nga kënga. Nga Greqia në Zvivër ku jeton aktualisht vazhdon të kete një ëndërr me vehte. Ëndrra për këngën polifonike si të parët e kanë kënduar brezave duket se i rri zgjuar orë e çast.

Tani Florika ka vendosur që të na vijë përmes një projekti me këngë të cilat, në një kohë të afërt, ka shprehur dëshirën ti realizojë me Folk Grup ” Bilbili” të Vlorës. Duket se të dy palët kanë gjetur njeri tjetrin, këngëtarja grupin dhe grupi këngëtaren. Mirë se vjen Florika që bashkë me ” Bilbilin” të lundrojmë në këngët e ëndrrave të tua.

Për kënaqësinë tuaj me poshte mund te degjoni disa sekuenca këngësh nga një prove e aty për atyshme, realizuar këto ditë në Vlorë

Sejmen Gjokoli

Loading...