Si të gatuajmë gjelin e detit – Ja tre receta

Ndoshta, këtë vit keni nevojë që gjelin e detit ta servirni të gatuar ndryshe. Në këtë artikull do të keni mundësi të gjeni plot 3 receta gatimi, ku në qendër të vëmendjes është gjeli i detit.
Gjel deti i mbushur

Për 10- 12 persona, na duhen:

gjel deti – 7 kg

50 g gjalpë i shkrirë

½ kokërr limoni

kripë

piper

Për mbushjen, na nevojiten:

350 g qepë të grira imët

200 g selino të grirë hollë

të brendshmet e gjelit të detit

130 g rrush të thatë dhe arra të qëruara

10 ullinj të zinj

1 mollë jeshile

2 feta bukë të thekura

kripë

piper i zi

Përgatitja:

Gjelin e detit e kemi pastruar, i heqim të brendshmet, të cilat i vendosim në një enë pasi do të na shërbejnë për mbushjen. Pasi e kemi shpëlarë me ujë të ftohtë, bëhemi gati për mbushjen e gjelit.

Përgatitja e mbushjes:

Të brendshmet e gjelit i kemi vendosur të ziejnë në një enë me ujë të nxehtë. Në ujë kemi hedhur paraprakisht kripë. Në një tigan kemi vendosur të skuqet pak qepa, në të shtojmë të brendshmet e ziera dhe i kavardisim së bashku. E heqim nga zjarri dhe masës së krijuar, do t’i shtojmë mollën e grirë, rrushin e thatë, arrat dhe bukën e thekur të shkërmoqur me duar. Shtojmë ullinjtë, kripën dhe piperin dhe e përziejmë.

Në pjesën e brendshme të gjelit vendosim masën e krijuar. Gjelin e mbushur e lidhim me spango, në mënyrë që masa të mos na dalë jashtë barkut të tij.

Gjelin e lyejmë më gjalpë në çdo pjesë të tij, si edhe e spërkasim me kripë. E vendosim në tavën e nxehur të cilën e kemi lyer me gjalpë dhe jemi gati për të kryer procesin e pjekjes. E vendosim në furrë në temperaturën 180 gradë. Procesi i pjekjes mund të zgjasë deri në 2 orë, po kjo mbetet relative.

Pasi gjeli ka marrë ngjyrë të artë, ai është gati për t’u prerë në feta dhe për t;u servirur në pjatat tuaja.

Gjel deti me salcë gështenjash

Për 4-5 persona nevojiten:

gjel deti (3- 4 kg)

200 g gjalpë

1 filxhan çaji gështenja të qëruara

1 kokërr hudhër

uthull

kripë

piper

Përgatitja:

Gjelin, të cilin e kemi pastruar paraprakisht, e vendosim në një tenxhere me ujë të vluar për të kryer procesin e zierjes. Në ujë kemi shtuar 2 lugë çaji kripë dhe piper.

Ndërkohë që gjeli kryen procesin e zierjes, ne përgatisim salcën e gështenjave. Pasi është zier plotësisht, e vendosim në një tavë të cilën e kemi lyer me gjalpë dhe e fusim në furrë të piqet në temperaturën 180 gradë celsius. Pjekja kryhet si një proces i ngadaltë, në mënyrë që të jetë e njëtrajtshme.

Në një tjetër enë kemi hedhur 200 gramë gjalpë, të cilin e përziejmë me 50 gramë miell. Në masën e krijuar shtojmë lëngun e gjelit, të cilin e kemi hequr në një anë gjatë procesit të zierjes. I trazojmë derisa të krijohet një masë homogjene. E lëmë të ziejë për 2-3 minuta. Gështenjat, të cilat më parë i kemi zier dhe qëruar, i shtypim derisa të krijojnë një masë, të cilën do t’ia shtojmë salcës së përgatitur. E trazojmë në mënyrë që mos të na krijojë kokrriza, shtojmë 3-4 thelpinj hudhra të shtypura, 2 lugë kafeje me kripë dhe piper sipas dëshirës. Salca e përgatitur i shtohet sipër mishit të gjelit të servirur në pjatë.

Gjel deti me salcë

Gjelin e detit të papjekur e kemi ndarë në feta, të cilat duken si bërxolla.

Për të përgatitur gjelin e prerë, na nevojiten:

3 kokrra qepë

piper i zi

1 filxhan kafeje vaj ulliri

3-4 gjethe dafine

kripë.

Përgatitja:

Qepët i qërojmë dhe i presim në kubikë të vegjël. Në një enë kemi hedhur ujë, shtojmë qepën e prerë, piperin, dafinën, si edhe vajin e ullirit. Në momentin që uji është pakësuar, shtojmë gjalpin dhe e përziejmë së bashku.

Mishin e gjelit të prerë në feta, e vendosim të ziejë në një enë më ujë, ku kemi hedhur 2 lugë çaji kripë dhe piper. Pasi është zier plotësisht, fetat i vendosim në një tavë, të cilën më parë e kemi lyer me gjalpë. Mishin e gjelit të detit e lyejmë edhe me limon, që të bëhet edhe më i shijshëm. E fusim në furrë në temperaturën 180 gradë. Pasi mishi të ketë marrë një ngjyrë të artë, ai është i pjekur plotësisht. Në një pjatë servirim fetat e mishit të gjelit dhe mbi to shtojmë salcën e përgatitur më parë.

Ju bëftë mirë!

Loading...